Në vend të përkujdesit siç paralajmëroi komuna, qentë e rrugëve në Tetovë vazhdojnë të helmohen. Një pjesë e të helmuarve përfundojnë në ujërat e lumit Shkumbin, kurse ata që janë me fat shëtisin të lirë nëpër rrugët e qytetit. Qytetarët kërkojnë urgjentisht që qentë e pa të zotë të kapen dhe të vendosen në një vend të veçantë.
Këshilli i Komunës së Tetovës që në muajin tetor ka sjellë vendim që qentë e rrugëve të kapen dhe përkujdesja ndaj tyre të bëhet në një stacionar të vendosur në objektin e Higjienës komunale. Por, kanë kaluar 3 muaj dhe nuk është ndërmarrë asgjë për realizimin e projektit.
Nga Komuna e Tetovës thonë se po punohet për zgjidhjen e problemit, por së pari duhet të kryhen procedurat administrative dhe të tenderit rreth përkujdesjes për qentë e rrugëve.
Në Tetovë pothuajse çdo ditë regjistrohen sulme ndaj njerëzve nga këta qen. Një pjesë e tyre përfundojnë me dëmtime serioze dhe infeksione.
Problematike është se një pjesë e qenve të pa strehë kanë sëmundje ngjitëse si zgjebja dhe Lajshmanioza. Por, nga dukuritë e këtilla autoritetet nuk alarmohen që përfundimisht të ndërmarrin hapa konkretë në zgjidhjen e problemit./TetovaNews