Sot është dita e katërt e ultimatumit që studentët të cilët protestuan në Tetovë, ia kanë vënë Universitetit të Tetovës (UT) për plotësimin e 15 kërkesave të tyre. Nga ky i fundit ende nuk ka përgjigje, njofton Portalb.mk. Universiteti i Tetovës ende nuk ka përgjigje për kërkesat e parashtruara të studentëve kryesisht të këtij universiteti, në protestën e tyre që filloi ditën e martë, më 18 dhjetor.
Selam Sulejmani nga sektori për informim i UT-së tha se kërkesat janë duke u shqyrtuar që nga dita e djeshme, pas takimit të tyre me prorektorin për çështje ndërkombëtare, Arbër Çeliku. “Sapo të kemi vendim, do t’ju informojmë. Tani për tani mund të them se jemi duke i shqyrtuar kërkesat e tyre” tha Selami, shkurt për Portalb.mk.
Nga ana tjetër, studentët thonë se janë në pritje të përgjigjes së universitetit për të vendosur se si dhe a do të zhvillohen protestat më tej. Ndryshe, studentët paralajmëruan protesta 24-orëshe në qoftë se kërkesat e tyre nuk pranohen deri më 25 dhjetor./Portalb