Ballina Bota Analiza ANALIZA: Leksionet që duhen nxënë nga Kina

ANALIZA: Leksionet që duhen nxënë nga Kina

Nga Erik Berglof

Që prej fillimit të reformave dhe hapjes ndaj botës 40 vjet më parë, Kina ka qenë një “nxënëse” shumë e mirë. Dhe tani, pas 4 dekadave të zhvillimit të shpejtë ekonomik, vendi po shfaqet gjithnjë e më shumë si një mësues. Teksa po investon më shumë kapitale jashtë vendit, ai ka një interes të madh mbi mënyrën se si zhvillohen vendet ku investon.

Por a është bota gati të mësojë prej saj? Gjatë viteve të fundit, Kina e ka përdorur politikën e saj të “zgjerimit jashtë vendit” – e shprehur në mënyrën me ambicioze në Nismën e saj të Brezit dhe Rrugës – si për të avancuar interesin e saj ekonomik, ashtu edhe dhe për të projektuar fuqinë e butë.

Udhëheqësit kinezë, duan të rivendosin vendin e tyre në atë që ata e shohin si pozicionin e saj të ligjshëm në botë. Pesha ekonomike e Kinës, arriti kulmin në vitin 1600, kur ajo përbënte më shumë se një të tretën e ekonomisë globale. Pjesa e saj e PBB-së globale ra gradualisht deri në vitin 1820, kur filloi të binte edhe më shpejt, për shkak të ndikimit të madh të Revolucionit Industrial në rritjen ekonomike të Perëndimit.

Deri në fillim të viteve 1960, pjesa e Kinës në PBB-në globale kishte rënë nën 5 për qind. Pastaj Ten Hsiao Pini nisi reformimin dhe hapjen e Kinës, dhe në atë moment filloi mrekullia e rritjes ekonomike së vendit. Që nga viti 1978, Kina ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria, dhe pjesa e saj në ekonominë globale, aktualisht një e pesta, vazhdon që të rritet.

Nëse Kina dëshiron të rrisë ndikimin e saj ndërkombëtar, duke e cilësuar përvojën e saj si model për të tjerët, ajo duhet të identifikojë mekanizmat që mbështesin suksesin e saj, dhe të shpjegojë se përse atp janë të transferueshme. Ky është në thelb, misioni i një qendre të re të krijuar nga Universiteti Tsinghua në Pekin.

Qendra Akademike për Praktikat dhe Mendimet Ekonomike Kineze, me akronimin e saj sugjestionues AÇEPT, është e përkushtuar të kuptojë dhe përhapë përvojën e zhvillimit të Kinës. Më herët gjatë këtij muaji, ajo e filloi këtë proces me raportin e saj të parë, të titulluar “Leksonet ekonomike të nxëna nga 40 vitet e reformave dhe hapjes së Kinës”.

Raporti përfshin 5 vëzhgime të dukshme. Së pari, rritja gjatë 4 dekadave të fundit u nxit kryesisht nga krijimi i kompanive të reja, në vend të ristrukturimit të atyre të vjetra. Për më tepër, shndërrimi i tokës bujqësore për përdorim industrial dhe rezidencial, luajti një rol jetësor në inkurajimin e investimeve.

Njëherazi, reforma e thellë në sistemin financiar ishte thelbësore për nxitjen e aktivitetit sipërmarrës dhe konsumit. Hapja inkurajoi ndërkohë të mësuarit dhe në fund politikat makroekonomike proactive, që i dhanë mundësi vendit të shmangte krizat financiare dhe të zbuste luhatjet në rritjen ekonomike.

Një çështje kyçe e ngritur nga raporti – dhe në fakt në gati çdo analizë të përvojës së zhvillimit të Kinës që nga viti 1978 – ka të bëjë me rolet relative të shtetit dhe tregut. A ishte krijimi i kompanive të reja private apo ndihma e qeverisë, më e rëndësishme në suksesin e Kinës?

Por kjo nuk është një çështje e re. Por, siç vuri në dukje ekonomisti i Harvardit Deni Rodrik në hapje të takimit inaugurues, mënyra se si dikush i përgjigjet asaj flet më shumë për të, se sa për ekonominë kineze.

Megjithatë raporti i AÇEPT mund të ofrojë një informacion të dobishëm mbi këtë çështje, duke theksuar se si bashkëvepron menaxhimi i shtetit dhe liberalizimi ekonomik. Ndërmarrjet e reja private, ishin nxitëset kryesore të rritjes ekonomike, por ishte shteti ai që krijoi stimujt e fuqishëm për hyrjen në treg.

Sipërmarrësit investuan shumë në marrëdhëniet e tyre, me autoritetet qeveritare dhe shtetin që përdorën sinjalet e tregut për të orientuar grumbullimin e burimeve, dhe për të vlerësuar nismat eksperimentale. Përtej inkurajimit të hyrjes së kompanive të reja, shteti kinez mobilizoi burime të konsiderueshme vendase për investime.

Edhe më mbresëlënës, është fakti që shteti kreu eksperimente të vazhdueshme, duke përfituar leksione në të gjitha nivelet e qeverisë, të cilat do të mbeten thelbësore, ndërsa Kina po adreson probleme serioze sikurse është pabarazia. Megjithatë, shpjegimi i faktorëve kryesorë që nxit zhvillimin e Kinës, është vetëm hapi i parë.

Nëse Kina dëshiron të eksportojë modelin e saj të zhvillimit në një mënyrë kuptimplotë, ajo do të duhet të kapërcejë një numër barrierash shtesë – duke filluar me mosbesimin ndërkombëtar

në rritje. Në mesin e vendeve të zhvilluara, ankesa kryesore është se Kina ka shfrytëzuar risitë e të tjerëve, duke kërkuar nga kompanitë e huaja që të ndajnë teknologjinë e tyre me kompanitë kineze, si një kusht për hyrjen në tregun kinz.

Megjithëse është tërësisht normale për një vend në fazën e zhvillimit ekonomik të Kinës, që të përthithë dhe imitojë teknologjitë e huaja, madhësia dhe fuqia e tregut, e rrisin në mënyrë dramatike kapacitetin e saj për të inkurajuar transferimin e teknologjisë.

Dhe Kina ka qenë e lumtur ta përdorë atë levë, shpesh në mënyra që konkurrentët e saj i konsiderojnë të padrejta. Ndërkohë, vendet në zhvillim, po vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje faktin nëse investimet kineze, po i ndihmojnë vërtet ata. Deri më tani, Kina në përgjithësi e ka shmangur kushtëzimin e investimeve të saj, me kërkesa të qarta politike.

Por, me shumë prej këtyre investimeve që sjellin kthime të ulëta ekonomike, Kina nuk ka më luksin të shpërfillë mënyrën se si përdoren burimet e saj, apo se çfarë ndodh me borxhin e përfituesve të saj të kredive.

Duke bindur vendet e tjera të pranojnë leksionet e saj të zhvillimit, Kina ndeshet me një dilemë të vështirë. Tek e fundit, Kina ia detyron zhvillimin e saj të suksesshëm pjesërisht faktit se ajo ruajti pronësinë e plotë dhe kontrollin e procesit. Në të kundërt, vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore patën politika zhvillimore që u imponuan nga Bashkimi Evropian – një dinamikë që ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e forcave politike anti-establishment.

Në kohën e rritjes së pakënaqësisë ndaj ndikimit ndërkombëtar në rritje, aftësia e Kinës për të promovuar modelin e saj të zhvillimit, është duke u dëmtuar rëndë. Dhe këtu nuk ndihmon aspak fakti që Perëndimi mbetet i vendosur, që një qasje jo-demokratike të mos lejohet të ketë sukses në nivel global.

Ne po shkojmë drejt një përplasje të rrezikshme, jo mes qytetërimeve, por midis sistemeve. Ne duhet të përshtatemi me njëri-tjetrin. S’ka kuptim që vendet në zhvillim, të refuzojnë plotësisht leksionet e mrekullisë ekonomike kineze, dhe thellimi i armiqësisë midis Kinës dhe Perëndimit, nuk është në interesin e askujt.

Përkundrazi, vendet duhet të jenë të hapura për të mësuar nga Kina, e cila nga ana e saj duhet t’i njohë limitet e modelit të saj politik, madje krahasuar edhe me demokracitë plot me të meta të Perëndimit.

Shënim: Erik Berglof, ish-ekonomist në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është aktualisht Drejtor i Institutit të Çështjeve Globale në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.

PROJECT SYNDICATE – Bota.al