Një ortek dëbore në qendrën e skijimit në Brezovicë, i mori dje jetën zv.ministrit kosovar të Diasporës, Arian Dacit, djalit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.
Sipas miqve Ariani ishte i dhënë pas sporteve ekstreme dhe një skiator tepër i mirë, por “betejën” me ortekun e humbi, pasi nga sasia e madhe e borës, u desh rreth 40-45 minuta që miqte e tij ta nxirrnin prej andej.
Teksa për të ndjerin janë zhvilluar sot homazhet dhe i është dhënë lamtumira e fundit në hollin e Kuvendit të Kosovës, ekspertë dhe skiatorë kanë shpjeguar për mediat kosovare se “Foleja e Shqiponjave”, vendi ku e zuri orteku Dacin, është kthyer në shtegun më të rrezikshëm për adhuruesit e skijimit ekstrem.
Ben Islami i njohur si “snoëjer” ka pasur një përvojë negative në këtë shteg, pasi në vitin 2006 ka shpëtuar mrekullisht nga orteku.
“Po më vjen çudi si kanë shku mu në atë shteg, që për mu prej sotit do të njihet si shtegu i vdekjes”, ka thënë Islami për mediat kosovare.
Po ashtu ai ka treguar se një tjetër skiator, nga qyteti i Ferizajt ka humbur jetën në këtë shteg skijimi.
”Parvjet, Fis Qerkini nga Ferizaji ka humbur jetën në të njëjtin vend – por është vendim i pamatshëm sot, në këtë mot, me i ra qasaj rruge”, është shprehur Islami.
Ndërkohë, Lulzim Zhubi, themelues i organizatës “Scardus”, që promovon skijimin dhe organizon gara në këtë sport, ka thënë se “nuk ka shansë me të nxan orteku në Brezovicë nëse rri në teren të përcaktuar për skijim dhe nuk shkon jashtë shtigjeve të skijimit”.
Por një tjetër skiator ka shpëtuar për mrekulli në vendin ku humbi jetën Arian Daci në vitin 2015. Adonis Sejdiu pas një orteku, u rrëzua nga një shkëmb i lartë rreth 7-8 metra, por shpëtoi pa lëndime.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Sejdiu shihet teksa shpëton mrekullisht nga një ortek me përmasa të vogla në vendin turistik.