Përderisa Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA e udhëhequr nga Bilall Kasami gjatë gjithë procesit të ndryshimeve Kushtetuese, kishin vërejtjet e tyre, madje edhe parashtruan amendamente, grupacioni politik që veten e quan “Lëvizja BESA”, i udhëhequr nga Afrim Gashi, e që është edhe pjesë e koalicionit qeveritar, në gjithë këtë proces ka qenë i heshtur, shkruan gazeta KOHA.
As Gashi, por as dy deputetët tjerë të kësaj partie të martën nuk kanë dashur të përgjigjen nëse i mbështesin amendamentet e BESËS dhe ASH-së, ndërsa kanë lënë të kuptohet se ndryshimet kushtetuese do të mbështeten ashtu siç janë marrë vesh partnerët e koalicionit dhe tetë deputetët e përjashtuar të VMRO-së, e që janë siguri për t’u arritur shumica e dyfishtë në Parlament.
I vetmi që ka folur për gazetën KOHA është anëtari i lartë i grupacionit politik të Afrim Gashit, Skender Rexhepi, i cili ka porositur që, megjithëse përcaktimi i tyre programor është “Maqedonia e barabartë për të gjithë”, të mos abuzohet për, siç u shpreh ai, për qëllime ditore.
“Qëndrimi ynë konform përcaktimeve programore është i paluhatshëm. Ky shtet do të ketë ardhmëri të shndritshme vetëm me barazi të plotë shtetërore edhe të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që duhet abuzuar me këtë qëndrim për politikë ditore. Sot, shteti (përfshirë edhe shqiptarët si pjesë jetike e këtij shteti) është para një udhëkryqi historik, që duke përkrahur ndryshimet kushtetuese dhe të jemi ne krah të miqve tanë – SHBA dhe BE, ose duke e penguar këtë proces ta fusim shtetin në errësirën ruse, e cila ka synim destabilizim e rajonit”, deklaroi për gazetën KOHA, Rexhepi. Sipas tij, partia e tyre do t’i përkrah ndryshimet kushtetuese që do t’i hapte udhë aderimit sa më të shpejt të vendit në NATO dhe BE. (koha.mk)