Pas ratifikimit të Marrëveshjes historike të Prespës nga parlamentin grek, Shkupi pret nga NATO, hyrjen në fuqi të protokollit të pranimit për të cilin nevojiten ratifikimi nga 29 parlamentet e vendeve anëtarë.
Rrugëtimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut i Maqedonisë së Veriut duket se do ta nisë pikërisht Greqia. Parlamenti i këtij vendi pritet të votojë javën e ardhshme pranimin në këtë organizatë. Qeveria Cipras synon të mbyllë shpejt procedurat, përballë rrezikut të rritjes së valës nacionaliste në vend.
Sipas mediave në Athinë, ministria greke e punëve të jashtme i ka nisur tashmë procedurat për dërgimin e protokollit të pranimit në parlament.
Por në një prononcim për Politico, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg frenoi entuziazmin e Shkupit, duke thënë se procedura e anëtarësimit kërkon kohë. Shefi i NATO-s solli rastin e Malit të Zi, që iu desh 1 vit deri në pranimin në aleancën ushtarake. Nga ana tjetër edhe zëdhënësja e BE, Maja Koçijançiç tha se hapja e negociatave mund të vijë në qershor të 2019, duke nënvizuar se nevojiten reformat e përcaktuara nga Brukseli.
Marrëveshja për emrin e ri të Maqedonisë u bë sërish shkak për protesta në Greqi. Në rrugët e Selanikut, qindra protestues u përleshën me policinë natën e së dielës. Ata kontestuan edhe qëndrimin e presidentit Prokopis Pavlopulos, të cilin e akuzojnë se ka heshtur pas miratimit të paktit në parlamentin grek.