Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj kërkoi që SHBA dhe BE të japin zotime publike dhe të garantojnë që në konferencë, mes tjerash, nuk do të ketë “çfarëdo rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre”.
Kjo kërkesë e Haradinajt është një nga 5 kushtet, të cilat ai i renditi në dokumentin, të cilin, siç tha, ua ka dërguar ambasadorëve të vendeve të Quint-it, përkatësisht Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë.
Vetëm pas plotësimit të këtyre kërkesave, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të pezullojë taksën doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, e cila është në fuqi që nga nëntori i vitit të kaluar. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë tarifën. Haradinaj, deri më tash, ka thënë se ajo do të hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën.