Ismail Kadare një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbush sot 83 vjeç. Bashkë me bashkëshorten e tij Helena ai ndodhet në këtë përvjetor në Paris, ku me siguri telefoni i familjes nuk ka pushuar nga urimet. Ditëlindjet e shkrimtarëve të mëdhenj si Kadare kthehen në ditë feste jo vetëm për lexuesit e gjuhës së tij, por dhe për lexuesit në të gjithë botën (pasi harta e gjuhëve ku letërsia e tij është përkthyer i ka kaluar 45-së).
Me një jetë të kaluar nën një regjimet më totalitare të ish vendeve komuniste, Kadare arriti të sfidonte regjimin me librat që shkroi dhe të përsoste gjuhën shqipe. Sot librat e tij, janë leksioni më i mirë mbi të shkuarën dhe mos-harresën. Në një kohë që ecën drejt sfidave të reja, për kritikët, librat e Kadaresë na tregojnë një nga plagët më të mëdha me të cilat është përballur një popull në zemër të Evropës, siç ishte komunizmi.
Ismail Kadare nuk na lejon të harrojmë lehtësisht. Veprat e tij ruajnë kujtimet e jetës së zymtë në Shqipërinë e vogël staliniste. Ndoshta vetë ky absurd, ndjesia e një ankthi të llahtarshëm në shtëpinë e kukullës, i bën këto vepra të jenë një deklarim përfundimtar i përshtatshëm për shekullin, fillimet letrare të të cilit dallohen për tmerrin rreth të cilit shkroi Kafka.
Konteksti i diktaturës shqiptare, arsimimi i shkrimtarit në Moskë, njohja e hershme e kompleksitetit të veprave të shkruara në shoqëritë e reja komunistë të pasluftës, si edhe refuzimi i tij gjatë viteve 1970-të dhe 1980-të për tu larguar nga atdheu apo për të bërë kompromis me shkrimet e tij, e bëjnë Kadarenë një shkrimtar unikal në ambientin socialist. Dhënia e çmimit International Man-Booker për letërsinë në 2005-ën, shënoi një moment historik në njohjen mbarëbotërore të Kadaresë.
Profesori John Carey gjatë dhënies së çmimit e ngriti lart Kadarenë si mbrojtës të identitetit shqiptar, “si shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, një shkrimtar universal me një traditë narracioni që e ka origjinën tek Homeri”. Sigurisht, Kadareja sjell ndjesi të fuqishme të identitetit etnik me shkrimet e tij, duke paraqitur për herë të parë nëpër botë traditat e vendlindjes. Gjithsesi, ai nuk mbështetet në nuancat lokale vetëm për hir të tyre dhe cilësia rapsodike e veprave të tij duhet parë në kontekstin bashkëkohor.
Etniciteti ekziston së bashku me diçka shumë më moderne, domethënëse dhe të turbullt në një auditor bashkëkohor. Kadareja është po ashtu kronikani më i madh i jetës nën stalinizmin. Megjithëse romanet e tij diktohen nga historia e diktaturës, ato tejkalojnë historinë aktuale të lindjes së tyre, për të komunikuar me një auditor më të gjerë. Analiza historike dhe letrare nxjerr në pah, se veprat e Kadaresë janë sfidë e njëmendshme dhe koherente ndaj diktaturës, qysh prej veprës Qyteti pa Reklama më 1959-ën e deri tek Hija dhe Piramida në fund të viteve 1980-të.
Ndoshta e vërteta mbi ekzistencën e Kadaresë qëndron në kontradiksionet e tij. Ai është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtar i identitetit të lashtë. Ai është një alter ego e diktatorit dhe i ndëshkuar prej tij. Ky dyzim është kyçi i jetës, reputacionit dhe veprave të tij. Në Panaritin e Librit disa muaj më parë Kadare paraqiti për lexuesin botimin e tij më të ri, pas disa vitesh mungesë në fushën e botimeve.
“Kur sunduesit grinden”. Një sprovë letrare, që e çon lart nivelin e eseistikës shqiptare, duke zbërthyer një raport jo të lehtë të raporteve që kanë pasur sunduesit me shkrimtarët. Duke marrë rastin Pastërnak-Stalin, shkrimtari aludon mbi raportet e tij me Enver Hoxhën, duke treguar se sa e vështirë ka qenë për artin të sfidojë regjimin. Në këtë përvjetor Shqiponline, uron dhe shumë vite të tjera të mbushura me shëndet e krijimtari, për mjeshtrin e letrave shqipe.