Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se “kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është hequr sipas parimit të Shengenit”.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin thotë se kjo është një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila sipas tij, “nuk mund të krijohet pa konflikte në mbarë Ballkanin, e jo vetëm me Serbinë“.
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka akuzuar autoritetet në Prishtinë për “cënimin e stabilitetit rajonal”. Ajo shfrytëzoi rastin për të krahasuar Kosovën me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
“Duket qartë se tani po flitet për kufijtë, e si është e mundur që kjo të vlejë vetëm për disa, e jo edhe për Republikën Serpska“, tha Brnabiq.
Menjëherë pas këtyre deklaratave kanë reaguar edhe autoritetet në Sarajevë. Anëtari i Presidencës së B-H, Zhelko Komshiq tha se “kufijtë e B-H nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, pavarësisht se çfarë ndodh mes Kosovës dhe Shqipërisë“. „Pse dikush mendon se politika e viteve 90-të tani mund të japë rezultate të tjera?
Në vend se t’i kthehen bashkëpunimit, integrimeve evropiane dhe stabilizimit të rajonit, ata me këmbëngulje po përpiqen të tërheqin paralele totalisht të paqëndrueshme mes B-H dhe Kosovës”, thotë anëtari kroat në Presidencën e B-H, Zhelko Komshiç. Ndërsa anëtari boshnjak, Shefik Xhaferoviq pohon se përpjekjet për cënimin e integritetit territorial apo ndryshimet e kufijve, “nuk do të kontestonin ekzitencën e B-H, por do të cënonin paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit, sepse kjo do t’i jepte fund Marrëveshjes së Dejtonit, pra edhe strukturave të brendshme etnike të B-H”.
Korrigjimet e kufirit nuk janë të mundshme pa konflikte?
Bashkëkryetari i Iniciativës së Igmanit për Serbi, Aleksandar Popov, në një deklaratë për Deutsche Wellen rikujton tezat e diplomatit dhe gjeopolitologut britanik Timothy Less, i cili thoshte se pa krijimin e një “Serbie të madhe”, “Shqipërie të madhe” dhe “Kroacie të madhe”, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Ai mendon se këta skenarë nuk janë të mundur pa luftëra të reja.
“Kur flitet për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se këtu janë të përzier shumë amerikanët dhe se ata kanë dhënë idenë për heqjen e kufirit. Nëse kjo ide vërtet realizohet, atëherë i tërë rajoni do të ketë probleme serioze, sepse e gjithë historia nuk përfundon me kaq. Serbisë menjëherë do t’i bashkohet Republika Serpska, ndërsa ‘Herceg-Bosna’ (pjesa e Hercegovinës e banuar me shumicë kroate) do të bashkohej me Kroacinë. Nga B-H që e njohim sot nuk do të mbetej asnjë gurë mbi gurë. E ndryshime të tilla territoriale nuk janë realizuar kurrë pa luftë. Idetë të tilla realizohen në ndonjë konferencë paqësore pas luftërave”, thotë Popov.
Procesi i dhunshëm i ndryshimit të kufijve në Ballkan ka filluar në vitet 90-të, e ka përfunduar me Marrëveshjen e Dejtonit dhe krijimin e RS, thotë bashkëbiseduesi ynë. “Vazhdimi i këtij procesi mund të bëhet vetëm me luftë, por duhet ditur se konfliktet sot do të përfshinin një hapësirë shumë më të madhe, duke përfshirë edhe Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. Këto janë lojëra luftërash ballkanike pa kufi. Luftërat e viteve 90-të kanë përfunduar brenda kufijëve të ish-repbulikave jugosllave. Konfliktet e reja për ndryshimin apo heqjen e kufijëve të tanishëm, me qëllim krijimin e shteteve të mëdha në Ballkan, do të ndiznin një zjarr i cili kësaj radhe do të përfshinte hapësira edhe më të mëdha”, – thotë Popov.