Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, dhe qeveria e tij i mbijetuan votës së mosbesimit të mërkurën.
Një gjë e tillë i hap rrugë Parlamentit grek që të ratifikojë marrëveshjen me Maqedoninë për emrin e kësaj të fundit, njofon rel.
Tsipras mori mbështetjen e 151 ligjvënësve në parlamentin prej 300 ulësesh, duke e shmangur kështu thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ai e thirri votimin në parlament të dielën, pasi partneri i tij i koalicionit, Panos Kammenos, dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj marrëveshjes.
Me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar, Maqedonia është bërë Maqedoni e Veriut.
Krahu i djathtë në Greqi e ka kundërshtuar këtë zgjidhje, duke thënë se fjala Maqedoni në emrin e fqinjit sugjeron se ky i fundit ka pretendime territoriale ndaj një territori grek me të njëjtin emër.
Çështja e emrit i ka mbajtur dy vendet në mosmarrëveshje për dhjetëra vite.
Javën e kaluar, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë./rel