Zhvilluesit e Instagram mundohen gjithnjë që ta bëjnë eksperiencën tonë sa më bukur. Opsione dhe tipare të reja dalin vazhdimisht që plotësojnë nevojat e përdoruesve. Ndonjëherë sjellin risi për të cilat nuk e dinim që kishim nevojë deri sa i provuam. Sigurisht jo të gjitha përditësimet janë të mirëpritura; e këtu e kemi fjalën për postimet në rend kronologjik që pavarësisht kërkesave të shumta nga përdoruesit duket se Instagram nuk ka ndërmend ta rikthejë.
Megjithatë, herë pas here një opsion i ri i këndshëm vihet në dispozicion që na bën ta harrojmë mënyrën si shpërndahen postimet. Bëhët fjalë për një përditësim në Instagram Story. Më parë, platforma të lejonte të vendosje filtra në fotografi dhe video ndërkohë që shkrepeshin dhe regjistroheshin në kohë reale. Ky tipar është perfekt nëse do të jesh aktiv në rrjetet sociale edhe kur nuk po jeton ditët më të mira.
Tashmë jo vetëm që mund të filtroni fotot dhe videot në kohë reale, por mund të “vishni” veshë lepurushësh edhe në foto apo video të vjetra që gjenden në albumin tuaj të fotografisë. Nuk është një ndryshim madhor, por është një formë për t’u argëtuar më shumë.
Si ta aplikoni?
Për të aplikuar filtrat në video dhe foto të vjetra që ndodhen në albumin e fotografive tuaja, hapni InstaStory. Zgjidhni një foto apo video të vjetër. Lart në krye do të shihni ikonën e një emoji. Klikoni aty dhe bëjeni selfien tuaj më argëtuese duke aplikuar filtra. /E.L