Shkruan: Abdulla Mehmeti
Me zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar me Greqinë për emrin e shtetit të Maqedonisë (Ish Republika jugosllave e Maqedonisë, 1991-2019), përmes Marrëveshjes së Prespës, e cila u ratifikua këto ditë nga parlamentet e të dy shteteve, ndërsa Maqedonia më parë e ndryshoi edhe Kushtetutën e saj në lidhje me këtë çështje, përfundimisht shteti i Maqedonisë do ta mbajë emrin e ri, Republika e Maqedonisë Veriore, me të cilin lidhet edhe fati i popullit shqiptar në të ardhmen.
Emri i ri i shtetit: Republika e Maqedonisë Veriore, apo Maqedonia Veriore, jo Republika e Maqedonisë së Veriut, apo Maqedonia e Veriut! E cilit Veri? E veriut të Greqisë, apo?!
Kjo nuk është thjesht një çështje gjuhësore, por është çështje politike me prapavijë të thellë, prandaj, sidomos shqiptarët duhet të kenë kujdes në formën e përdorimit të këtij emri.
Në vend të emërtimit të drejtë dhe sipas natyrës së gjuhës shqipe: Republika e Maqedonisë Veriore, ose Maqedonia Veriore, pse duhet ta quajmë Republika e Maqedonisë së Veriut, ose Maqedonia e Veriut? E cilit veri? E pjesës veriore të rajonit administrativ me të njëjtim emër „Maqedoni“ në Greqi, apo e veriut të Greqisë?!
Në gjuhën shqipe thuhet: Evropa Perëndimore, jo Evropa e Perëndimit; Ballkani Perëndimor, jo Ballkani i Perëndimit; Evropa Juglindore, jo Evropa e Juglindjes, etj. Prandaj, nuk mund të quhet Maqedonia e Veriut, por Maqedonia Veriore, apo Republika e Maqedonisë Veriore, jo Republika e Maqedonisë së Veriut.
Këtë emërtim gabimisht e përdorin dy kategori ndividësh: ata që nuk janë të informuar mirë dhe siç duhet, por edhe individë me prapavijë, nën ndikimin e politikës, disa mediumeve, gazetarëve dhe studiuesve të përfolur kohë më parë se janë paguar me shuma të majme për propagandë në dobi të shtetit grek, në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Disa njohuri të rëndësishme për rajonin gjeografik të Maqedonisë
Rajoni gjeografik i Maqedonisë ka një sipërfaqe prej rreth 67.000 km² dhe një popullsi prej 4.76 milionë banorë.
Maqedonia, si rajon gjoegrafik dhe historik në Gadishullin Ilirik (Ballkan) ndodhet në juglindje të Evropës. Kufinjtë e këtij rajoni kanë ndryshuar shumë me kalimin e kohës, ndërsa sot ky rajon është i ndarë në disa pjesë mes shteteve: Greqisë, Maqedonisë Veriore, Bullgarisë dhe një pjesë e vogël në territorin e Serbisë dhe në territorin e Shqipërisë.
Rajoni gjeografik i Maqedonisë, i njohur me këtë emër gjatë disa periudhave historike (jo edhe gjatë Perandorisë Bizantine dhe Perandorisë Osmane) historikisht është banuar me shumicë nga shqiptarët (pellazgët, pajonët, ilirët, epirotët, dardanët, arbërit), pastaj edhe nga grekët (helenët), sllavët, turqit, vllehët, hebrenjtë, romët etj.
Vendbanimet më të vjetra që dihen datojnë prej afërsisht 9.000 vjet. Prej nga mesi i shekullit të 4 p.e.s, Mbretëria e Maqedonisë, sidomos me Lekën e Madh, u bë fuqi dominuese e Gadishullit dhe që nga atëherë Maqedonia ka pasur një histori të turbullt. Pas vitit 1913 kjo histori është falsifikuar dhe ndryshur në masë të ndjeshme në dëm të shqiptarëve dhe territoreve etnike të tyre, nën ndikimin e politikës dhe propagandës sllave e greke.
Edhe në periudhën antike rajoni gjoegrafik i Maqedonisë ka qenë e ndarë në dy pjesë, gjatë sundimit romak, në Maqedoninë e Epërme (Maqedonia Prima, me kryeqytet Selanikun) dhe Maqedoninë e Epërme (Maqedonia Secunda, me kryeqytet Stobin, qyteti i sotëm Gradsko në Maqedoninë Veriore).
Rajoni i Maqedonisë, si pjesë e Perandorisë Osmane, është njohur me emrin Rumeli. Me Marrëveshjne e Bukureshtit më 10 gusht 1913, ky rajon është ndarë mes shtete fqinje, në atë mënyrë që pjesa më e madhe „Maqedonia e Egjeut“ është okupuar nga Greqia, me sipërfaqe prej 34.356 km² , Pjesa e njohur si „Maqedonia e Vardarit“ me sipërfaqe prej 25.342 km² (territori që edhe sot e ka Maqedonia Veriore) është okupuar nga Serbia, kurse pjesa e njohur me emrin „Maqedonia e Pirinit“ me sipërfaqe prej 6.798 km², atëkohë i është lënë Bullgarisë.
Aktualisht, ky rajon është i ndarë në dy pjesë kryesore, në Republikën e Maqedonisë Veriore, e cila përfshin një sipërfaqe prej afër 37% të këtij rajoni dhe Rajoni administrativ me emrin „Maqedoni“ në Republikën e Greqisë, i ndarë në nënrajone (periferi) në tri pjesë: Maqedonia Qendrore (3), 5 Maqedonia Lindore dhe Trakia (5) dhe Maqedonia Perëndimore (13). Logjikisht, ky rajon përbën pjesën e Maqedonisë Jugore (e lashtë), e cila përfshin afër 52% të sipërfaqes së përgjithshme të këtij rajoni gjoegrafik.
(26 janar 2019)