Ballina Aktualitet Opinione Rrëfim nga e tashmja në Tiranë: Dhëndri i ardhur nga Franca lë...

Rrëfim nga e tashmja në Tiranë: Dhëndri i ardhur nga Franca lë nusen se nuk “i doli” e virgjër, ja si e shkatërroi dasmën pas natës së parë

Nga Kujtim Xhaja

Një përrallë nga e tashmja…

Sot do të shkruaj për një ngjarje që më ka tronditur thellë… Kjo ndodhi më ka ndryshuar krejtësisht botëkuptimin që kisha për gjërat…

E premte…

Një ftesë e pazakontë na vjen në familje për fundjavë. Ishim të ftuar në një dasmë te një prej kushërinjve të mi të largët. Ftesën e pranuam me gjithë dëshirë, sepse ne shqiptarët, këtë punën e dasmës e kemi më shumë si një borxh që duhet ta heqim qafe.

“Do të shkojmë, se na kanë ardhur”,- thoshte ime më nëpër dhëmbë. “Po sa do të hedhim në valle?”, -pyeste sërish me vete mamaja ime. Ishte në hall të madh! “Do hedhim sa na kanë hedhur?”, -bënte monolog me veten…

Përvec borxhit, kur të ftojnë në dasmë është edhe një përgjegjësi dhe detyrë mbi detyra! Kjo ftesë ndonjëherë bëhet krejt e pacipë dhe papritur e gjen veten në një pozitë të ngushtë turpi…

“Do jetë turp të hedhim më pak”, -bluaja unë me vete. Iku edhe kjo mëdyshje, vjen dilema tjetër: “Po çfarë do të mbathim?!” Nga borxhi, turpi, hyn në lojë edhe pak tangërlliku alla shqiptar, që na karakterizon nëpër ahengje të tilla. “Medoemos, sepse ne shkojmë nga qyteti”, – më thosh ime më…

Dasma do të bëhet në një fshat periferik, shumë afër Tiranës, në Shën Gjergj. Nisemi që në mëngjes herët.. i hipim furgonit të parë që na del përpara. Nuk është ndonjë largësi e madhe, por terreni i vështirë e bën këtë rrugë edhe më të gjatë. Kalojmë ca kthesa të Dajtit, mes maleve e kodrinave.

Teksa shoh me endje këto pamje, në ajrin flladitës të mëngjesit më sillen ndërmend ca kujtime të vegjëlisë. Më kujtohet gjyshja, e cila na merrte perhere me vete gjatë pushimeve të verës dhe na “degdiste” në fshat! Mezi i prisja ato ditë, më dukej sikur çlirohesha nga vargonjtë e qytetit dhe arratisesha për në fshat!

Mbërrijmë! Diku nga mesdita…Ahengu kish filluar të dëgjohej që larg. Sokaku ish pastruar si asnjëherë tjetër. Shkallët e gurta që të çonin tek vila ishin zbukuruar. Çdo gjë ish e thjeshte dhe modeste, pa shume ekzagjerim.

Çdo kënd kish marrë hijen e festës, begatisë dhe lumturisë. Kudo ku hidhja sytë, pikasja fytyra të qeshura, të lyera, e të ngazëllyera. Futem brenda, takoj të zotin e shtëpisë, na pret me krahë hapur dhe me të gjitha të mirat dhe bujarinë, që vetëm fshati di ta falë. Shtëpia ish ndarë në dy oda miqsh. Oda e burrave dhe oda e grave…

Burrat ishin ulur në disa shilte të sfungjerta si të kohës së Turqisë së hershme dhe përpara kishin shtruar mezetë me gotat e rakisë. U ula edhe unë mes tyre.

Kuptova se me shumë gjasa unë isha më i vogli si moshë në tavolinë, por kjo nuk më pengoi aspak që të rrëkëlleja ca gota raki dëllinje dhe të bëja ca dolli me burrat. Pas dy gotave, çdo gjë filloi të më turbullohej përpara syve.

Biseda me këta burra babaxhanëmë më mësoi shumë me mënyrën sesi funksionojnë këto evenimente në fshat. U desh ky rast, që të na mblidhte të gjithë fisin. Po mendoja me vete: “Këto dasma e kane edhe një gjë të mirë, të paktën të njohin mbarë e prapë me të gjithë fisin”, madje shumë fytyra nuk më thoshin asgjë.

Përballë meje shtrihej oda e grave… një atmosferë tjetër nga dhoma matanë. Sikur dukej më e gjallë, më e hareshme. Dëgjoheshin britmat, ngërdheshjet thumbuese të grave e vajzave, pas shakave me njëra-tjetrën. Me dhëndrin u takova sapo kalova pragun e shtëpisë, me këmbë të djathtë. Ai ishte bërë goxha djalë, simpatik e shtatlartë. I ardhur direkt nga emigrimi nga një provincë e Francës, ai kish njohur një vajzë të re fshati me anë të mblesërisë. Të dy sikur të kishin lindur për njëri-tjetrin. U mrekullova nga ai çift.

Muzika, veglat muzikore popullore filluan të buçisnin nga të katërta anët. Dolëm të gjiothë në verandë, ishte një natë e ftohtë. Orkestra kish zënë vend në krye të odës…filluan vallet një nga një, kërcimet, rakia, dollitë me rradhë. Rakia më kish shkuar në kokë…

Erdhi radha e zarfave të famshëm…zarfe të të njëjtës, formë, të të njëjtës ngjyrë edhe madhësi. Çdo i ftuar i mbante në dorë si të ishin bileta të hyrjes. Më pas u vendos edhe shporta e lekëve, e cila përherë do ta ketë vendin afër çiftit. Mbërriti momenti i shumëpritur…mania e të hedhurit sa më shumë lekë në valle! Këtu njeriu është i justifikuar për çdo gjë…madje edhe sikur ai të jetë futur borxh për t’i fituar ato lekë… Krenaria e shqiptarit s’mund të preket kur vjen fjala tek hedhja e parave në dasmë. Këtë ritual ai gati-gati e ka të shenjtë…i duket sikur bekon çiftin e ri, kur i hedh ato lek pa masë e pa kufi.

Orët ikin shpejt në dhe një ditë e re agon! Qetësi, Të gjithë pa vënë gjumë në sy, kanë dremitur sa në një cep, në një tjetër. Qetësinë e prishin disa zhurmë, hapa njerëzish. Një gjendje kaosi krijohet…Nusja del nga dera duke qarë me ngashërim, pas saj duket dhëndri, me një hije të rëndë në fytyrë. Kish marrë pamjen e një bishe të egërsuar…

Martesa anullohet, prishet, zhbëhet..Një turp kish ndodhur… Nusja merr plaçkat dhe ikën… Nisin fjalët, përshpërimat, thashethemet…kudo ish përhapur lajmi, se shkaku i këtij shkurorëzimi ishte se nusja nuk kish qenë e virgjër.

Kjo ish arsyeja e atij veprimi të menjëhershëm, fill pas natës së parë, fill pas asaj nate, e cila supozohet të jetë nata më e bukur e çiftit. Edhe unë mblodha plaçkat dhe ika. Nuk mund ta besoja dot këtë që kish ndodhur.

Ajo dasmë më la një shije të idhët…E për çfarë arsye? Për një cipë të hollë “ndershmërie”. Iki, i hipi fugonit i tërbuar, në mendje më erdhën të gjitha parapërgatitjet shpirtërore, fizike, materiale që m’u desh të bëja për atë dasmë. M’u dhimbsën ato lekë, për të cilat u menduam aq shumë natën e kaluar se si ti ndanim me time më. M’u dhimbsën ato ëndrra, iluzione që vetë thura për atë çift aq të bukur.

Të gjitha këto mendime më iknin e vinin në kokën time atë mëngjes dimri. Seç mu kujtuan çuditshëm, çiftet e famshme të Hollywood-it. Sa martesa, divorce, ndarje, lidhje e zgjidhje që ka ajo industri?! Imagjinoj me vete si do të tingëllonte sikur një ditë të bukur Brad Pitt të deklaronte se ish ndarë nga Angelina Jolie, për shkak se kjo e fundit nuk ishte e virgjër!

Të gjithë amerikanët e bota mbarë do të kish qeshur, ca të tjerë do ta merrnin si seksizëm, e shumë të tjerë si fyerje dhe poshtërim ndaj figurës së femrës.

Po këtu ç’ndodhi? Asgjë! Madje ky veprim u mbështet dhe u konfirmua nga i gjithë fshati. Pati edhe nga ata që thanë nëpër dhëmbë: “Oh i lumtë, ai është mashkull”…Duke menduar këto dy qasje aq të kundërta me njëra-tjetrën, u mbusha me frymë dhe më erdhën ndër mend, të gjitha peripecitë e asaj vajze të gjorë të kthyer tek prindërit.. Si do të shkojë në shtëpi tani që e mori vesh gjithë fshati?

Çfarë do t’u thotë prindërve? Prindërit çfarë do tu thonë komshinjve? Shoqet, motrat, vëllezërit si do ta shohin pas kësaj ngjarjeje? Atë do ta ndjekë gjithmonë një damkë e turpit, për një gjë aq të paturp…Sa realitet i trishtë, e të mendosh që ndodhi në një fshat që s’është as 40 km larg nga kryeqyteti, Tiranë…(27.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews