Ballina Aktualitet Shqipëri REPORTAZH EKSKLUZIV/ Të rrethuar dhe nën presion, studentët e ngujuar vazhdojnë rezistencën...

REPORTAZH EKSKLUZIV/ Të rrethuar dhe nën presion, studentët e ngujuar vazhdojnë rezistencën (VIDEO+FOTO)

Udhëtim i gazetës Mapo në orët e vona në ambientet ku të rinjtë mbrojnë kauzën e tyre. Foto dhe video nga vendi i ngujimit

Prej disa ditësh shumë studentë e kanë vijuar protestën e tyre në formën e ngujimit nëpër universitetet e Tiranës dhe në qytete të tjera. Ky hap u hodh pas mosplotësimit të kërkesave nga qeveria, siç shprehen ata. Gazeta Mapo ka arritur të vëzhgojë mbrëmë ambientet dhe ka parë se si rezistojnë studentët në orët e vona të natës në këto ditë të ftohta janari. Ata janë të vendosur për kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me tarifat e larta, vendimmarrjen dhe cilësinë e universitetit.

Ekonomiku

Një vajzë, studente e ngujuar në Universitetin Ekonomik, thotë se dëshiron të bëjë mësim, por jo me batanije. Kushtet e pafavorshme nëpër universitete, i kanë detyruar studentët që të marrin veshje nga shtëpia për t’u ngrohur. Për shkak se kanë frikë, nga presioni i vazhdueshëm që u është bërë, studentët nuk dëshirojnë të përmendin emrat e organizatorëve dhe mbështetësve. Ata thonë se gjatë periudhës së ngujimit, disa prej miqve të tyre janë dorëzuar prej trysnisë në shumë drejtime. Tek ‘Ekonomiku’ situata duket në favor të studentëve, pasi janë një numër i konsiderueshëm në krahasim me universitetet e tjera. Gjatë natës flenë me xhupa dhe me batanije të marra nga shtëpia. Bisedojnë gjithë kohës japin e marrin ide se si do të veprojnë në ditët në vazhdim. Ata duken të vendosur. Shpesh këndojnë dhe improvizojnë mesazhe drejtuar qeverisë, me theks: “Plotësimin e kërkesave”.

Fakulteti i Drejtësisë

Edhe në Fakultetin e Drejtësisë është e vështirë të futesh, apo të bashkohesh me studentët e ngujuar. Ata janë nën dyshimin e vazhdueshëm se mund të penetrojnë elementë nga FRESSH që duan t’i japin fund rezistencës. Dyert kryesore janë të mbyllura. Megjithatë mundëm të futemi nga një portë alternative. Në katin e parë ka një “dritare të fshehtë”. Studentët janë mbledhur në një sallë të madhe në katin e dytë të fakultetit. Ora po shkon 22.00. Janë rreth njëzet të rinj. Pritej të vinin të tjerë që të ndërroheshin për turnin e natës. E pamundur të bësh intervista, foto apo video. Studentët janë të frikësuar nga media.

“Shumë gazetarë nga media të ndryshme kanë ardhur këtu dhe kanë bërë foto e video dhe më pas kanë publikuar shkrime kundër nesh dhe kauzës sonë, prandaj ne nuk u besojmë mediave”, shprehet njëri nga juristët e ardhshëm.

Edhe në këto kushte, ata janë të qartë e të vendosur që ta çojnë deri në fund kauzën e tyre. Prej ditësh, konsumojnë vetëm ushqime të thata nga marketi dhe “fast-food”. Shpesh ua sjellin prindërit, ose ua blejnë edhe pedagogët dashamirës, por jo rrallë edhe bizneset përreth solidarizohen me ta. Ambienti është pak më i ngrohtë se në fakultete e tjera, ka një kondicioner në atë sallë. Të ngujuarit flenë në dysheme ose nëpër karrige.

Pasi kalon disa orë me ta, për t’u larguar duhet të kalosh sërish nëpërmjet “dritares së fshehtë” të katit të parë.

Politekniku

Hyrja kryesore e fakultetit është e mbyllur me dryn nga brenda. Po ashtu është e bllokuar me karrige e banka vendosur mbi njëra-tjetrën. Mund të futesh nga një derë e vogël mbrapa universitetit. Disa studentë po dilnin për të blerë ujë dhe ushqime. Në katin e parë, pranë derës sheh një të ri mbledhur para një rezistence të vogël. Kur e pyetëm si je, na u përgjigj: “Batanije s’kemi shumë, thotë ai, se disa i shtrojmë në dysheme dhe me disa mbulohemi”.

Ambienti është shumë i ftohtë për shkak të mungesës së ngrohjes dhe hapësirës së madhe. Shumica e studentëve ndodhen në katin e dytë. Salla ku ata kalojnë natën është e madhe, kondicioner nuk mjafton. Në këto kushe, disa prej tyre që nuk ndihen mirë kërkojnë leje nga shokët që të kalojnë natën në shtëpi.

Këtu ka rreth 20 studentë. Sistemi i turneve funksionon. Studentët ndërrohen gjatë natës pasi nuk mund ta përballonin qëndrimin në universitet 24 orë. Pjesa më e madhe janë djem. Ushqimet ua sigurojnë familjarët. Nuk kanë shumë dëshirë të flasin, pasi nuk kanë më besim te askush.

“Ngujimi në këtë fakultet ka filluar të hënën. Këtu vijnë shumë persona që na thonë se janë me ne dhe duan të na mbështesin, por ata ndikojnë për keq te një pjesë e mirë e studentëve pasi u thonë që të bojkotojnë ngujimin dhe të kërkojnë rifillimin e mësimit”, thotë një student i Inxhinierisë Mekanike. Dyshimet i kanë për aktivistët e FRESH.

Në këto rrethana studentët po e vazhdojnë rezistencën e tyre.

Gjatë një takimi që kanë pasur me drejtorin e Dojçe Veles, dy ditë më parë, një përfaqësi e studentëve është shprehur se do t’i mbrojnë kërkesat e tyre. Kërkesa që kanë të bëjnë me tarifat e larta, me dhënien e përparësisë universitetit publik, dhe me abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.