Ani pse një numër i madh i tyre u larguan vitin që shkoi, interesimi i serbëve për të shërbyer në institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës është mjaft i madh. Për vetëm 70 vende të punës në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e FSK-së, janë lajmëruar rreth 300 pjesëtarë të komunitetit serb.
Institucionet janë të vendosura që edhe Forca e re të jetë shumë-etnike dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha i cili do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes, në një intervistë për KosovaPress flet për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Ai thotë që kapacitetet aktuale Forca do t’i bartë në mandatin e ri, dhe do të zhvillojë të tjera që janë të nevojshme për Forcën e re.
I pyetur për pjesëtarët serbë të cilët nga presioni i Beogradit u larguan nga FSK, dhe plotësimin e vendeve vakante aty, Berisha ka treguar që ka mjaft interesim nga të tjerë serbë.
Ai ka bërë të ditur se në tre mujorin e parë të këtij viti do t’i plotësojnë ato vende të punës.
“Diku për 70 vende të punës janë lajmëruar afër 300 pjesëtarë komunitetit serb që janë të interesuar të jenë pjesë e strukturës sonë. Një pjesë e kërkesave janë te komandanti, mbi 200, tjerat janë te ne, kështu që në tre mujorin e parë ne planifikojmë që t’i plotësojmë këto vende të punës me pjesëtarë të komunitetit serb. Jemi shumë të vendosur që kjo forcë të jetë shumë-etnike e cila do të jetë e përfaqësuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në interes te të gjithë qytetarëve”, thotë ai.
Berisha pret që një marrëveshje gjithëpërshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, do të ndikonte edhe në integrimin e komunitetit serb në FSK dhe institucione të tjera.
Ai thekson që nuk kanë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti fqinj, dhe që njëjtë duhet të jenë edhe të tjerët ndaj Republikës së Kosovës.
“Me ndryshime kushtetuese do të ndryshohet vetëm emri, dhe do të kemi mbështetjen edhe të komunitetit serb, ndërsa mandati, misioni, kompetencat, organizimi, të gjitha këto janë që përcaktohen me ligj. Ne brenda këtij afati 10 vjeçar, nëse krijohet ndonjë ambient më i përshtatshëm, pse jo ta ndryshojmë edhe emrin e FSK-së, të gjitha kompetencat, detyrat, organizimi… nuk ka asnjë dallim nga ushtritë e tjera… me miratimin e këtyre ligjeve po fillojmë që t’i ngrisim kapacitetet mbrojtëse, sepse ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti fqinj, edhe presim që edhe te tjerët të kenë një qasje të tillë”, thotë ai.
Berisha thotë se Forca do të veprojë në tërë territorin e Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, edhe me mandatin e ri do të veprojë në terë territorin e Kosovës, në momentin që të arrijmë t’i ngrisim ato kapacitetet e plota, atëherë veprimtaria e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Për KosovaPress, Berisha tregon se në 120 ditëshin e parë parashihet që MFSK të transformohet në Ministri të Mbrojtjes, por thekson që do të jetë një vit sfidues.
“Në 120 ditëshin e parë parashihet që Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës të transformohet në Ministri të Mbrojtjes, pastaj riorganizimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave siç janë komanda e forcës tokësore, komanda e trajnimit dhe doktrinës, komanda e logjistikës dhe garda nacionale. Është një vit mjaft sfidues, po ashtu edhe një prej sfidave tjera është edhe hartimi ose planifikimi në aspektin e dokumentacioneve të cilat do të mbështesin zhvillimin e kësaj force në dokumentacionet strategjike, operacionale, dhe taktike”, thotë ai.
Më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi pakon me tre projektligje që i hapin rrugë transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. E më 28 dhjetor, presidenti i vendit nënshkroi dokumentet dhe procedurat përmbyllen me publikimin e tyre në gazetën zyrtare.
Transformimi i FSK-së po bëhet me ndryshime ligjore, meqë për ndryshime kushtetuese duhej edhe përkrahja e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e këta të fundit vazhdojnë të kundërshtojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës.