Spanja do të njohë opozitarin, Juan Guaido si president të Venezuelës nëse Nicolas Maduro nuk organizon zgjedhje brenda 8 ditëve, njoftoi sot kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.
‘’Nëse brenda një afati 8 ditor nuk do të ketë zgjedhje të drejta, të lira dhe transparente në Venezuelë, Spanja do të njohë Juan Guaido si president të Venezuelës në mënyrë që ky i fundit të organizojë zgjedhjet’’, deklaroi Sanchez në prani të medias në pallatin Moncloa.
‘’Ne nuk kërkojmë të vendosim apo t’i heqim dikujt autoritetin drejtues në Venezuelë, ne kërkojmë demokracinë dhe zgjedhje të lira në Venezuelë’’, shton Pedro Sanchez.
Gjermania u shpreh e gatshme për të pranuar opozitarin venezuelian, Juan Guaido si president të përkohshëm të vendit nëse nuk do të mbahen zgjedhje brenda 8 ditësh, bën sot të ditur qeveria gjermane.
‘’Populli venezualian duhet të vendosë i lirë në siguri të plotë për të ardhmen e tij. Nëse zgjedhjet nuk shpallen brenda 8 ditëve, jemi të gatshëm për të njohur Juan Guaido, i cili inicion një proces të tillë politik, si president i përkohshëm’’, deklaroi me anë të një postimi në Twitter Martina Fietz, zëdhënëse e qeverisë gjermane.
”Franca është e gatshme të njohë opozitarin venezuelian, Juan Guaido si president në detyrë të vendit të tij nëse do të ketë zgjedhje brenda 8 ditësh’’, deklaroi sot presidenti, Emmanuel Macron.
”Nëse nuk shpallen zgjedhje brenda 8 ditëve, ne do të njohim @jguaido si president të Venezuelës për të nisur një proces politik. Ne po punojmë mbi këtë çështje me partnerët tanë europianë, thuhej në postimin e Macron në Twitter, në të njëjtën kohë kur kryeministri Pedro Sanchez postoi një mesazh për të njëjtën çështje./atsh