“Shuplaka” e Edi Ramës për kabinetin e tij nuk ndodhi për shkak të revoltave studetore. Sipas avokat Spartak Ngjelës ndryshimi rrënjësor mbart me vete diçka më të thellë, që ka të bëjë me organet e reja të drejtësisë. Sipas tij eleminimi i ministrave të akuzuar ka ndodhur, sepse ata do të jenë në shenjestër të SPAK-ut dhe Rama do të largojë këtë “llum” larg vetes.
“Protesta e studentëve, por edhe SPAK-u. Nuk besoj që do të jenë të gjithë këta ministra të akuzuar, por mbi 50% e tyre po, do të jenë objekt i SPAK-ut. Arsyeja që i ka eliminuar ka qenë kjo, por me këtë rast iu bënte edhe studentëve një lëshim, që nuk e përfillën.
Ajo që duhet parë me vëmendje është problemi që në rast se ti si kryeministër heq gjysmën e qeverisë, ti nuk mbretëron, këta e dinë veten monark, nuk e njohin parlamentarizmin perëndimor. Kjo nuk është qeveri e një perandori që heq dhe vendos kë të dojë. Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të krijonte qeverinë tjetër. Rama ka hequr ministrat më të rëndësishëm dhe e konsideron si shëndoshje, jo krizë”, është shprehur avokat Ngjela në një intervistë televizive.
Në lëvizjet e ekzekutuara nga Rama mbeten të paqarta kriteret e përzgjedhjes së ministrave që u larguan. Rama tha se po linin kabinetin ata që kishin 5 vjet në qeverisje, por jo të gjithë përfshiheshin në këtë kriter, duke ngritur dyshime për largimet dhe pikëpyetje për të emëruarit.