Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, për të biseduar në lidhje me taksën e vendosur ndaj produkteve serbe. Takimi i thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është mbajtur në zyrën e këtij të fundit, pa praninë e mediave.
Pas mbledhjes, Veseli është shprehur se vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, do të jenë në interes të qytetarëve dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
“Me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj sot patëm një takim tejet konstruktiv dhe diskutuam për sfidat që na presin gjatë këtij viti. Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë”, është shprehur Veseli në një postim në Facebook.
SHBA e ka bërë të qartë prej ditësh qëndrimin e saj kundër taksës 100% për produktet serbe. Po ashtu, edhe BE-ja e ka kundërshtuar taksën, duke vënë heqjen e saj si kusht për vijimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Ndërsa kryeministri Haradinaj nuk është prononcuar në lidhje me atë që u diskutua në takim. Ditën e djeshme, në përgjigje të interesit të mediave të Kosovës, Haradinaj u shpreh se “Bora do të shkrihet dikur”. (TemA TV)