Ballina Bota Votimi dhe teknologjia, sa rrezikohen zgjedhjet europiane?

Votimi dhe teknologjia, sa rrezikohen zgjedhjet europiane?

Sa i sigurt është votimi elektronik? Si ndikon teknologjia e aplikuar në masë të gjerë në procesin e votimit?

Nëse kthehemi pas në vitin 2016, te tentativat e hakerave për të influencuar zgjedhjet presidenciale amerikane përmes vjedhjes së të dhënave dhe spiunazhit në dëm të kandidates demokrate, çdo risi digjitale që aplikohet në jetën politike, duhet parë ndryshe nga ç’shihej në të kaluarën.

Stefano Zanero, profesor i asociuar në Universitetin Politeknik të Milanos, e sheh me skepticizëm këtë mënyrë votimi.

“Problemet që lidhen me votimin elektronik janë të shumta dhe jo të gjitha lidhen me pjesën më teknologjike të procedurës. Madje, ato më komplekset kanë karakter tjetër. Deri tani janë gjetur shumë mangësi në sistemet e votimit elektronik, por nuk kemi pasur kurrë sinjale se ato janë shfrytëzuar për të manipuluar votimin”, thotë ai.

Por sipas tij, kjo do të thotë se askush nuk ka provuar t’i shkojë deri në fund kompromentimit të zgjedhjeve, ndoshta edhe për shkak se në Europë ka mbetur vetëm Estonia, që përdor një sistem të zgjeruar të votimit elektronik.

Por nëse dikush ia vë si qëllim vetes, mundësitë për të gjetur mangësi që ia bëjnë më të lehtë punën janë të shumta.

Disa probleme nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me teknologjinë. “Votimi elektronik shihet si mjeti që bën të mundur votimin në distancë.

Në këtë rast, një verifikim me emër përdoruesi dhe fjalëkalim nuk garanton kontrollin e plotë mbi identitetin e atij që po shpreh vullnetin e tij.

Në këtë rast bëhet më e lehtë për manipuluesit të futen në databazën e përdoruesve. Kësaj i shtohet problemi i arkivit, ku mblidhen votat e marra në mënyrë elektronike.

“Pajisjet me të cilat votohet nuk duhen lidhur kurrë në rrjet, për të shmangur kompromentimin në masë. Nëse ka një lidhje me rrjetin, ato bëhen vulnerabël”, thotë Zanero.

Këtu lind një tjetër problem që mbetet një nga principet bazë të demokracisë: mundësia e kontrollit.

“Kur votohet, gjithkush mund të shkojë në një qendër dhe të kontrollojë nëse çdo gjë po shkon sipas rregullores, procesi mund të mbikëqyret nga hapja e qendrave e deri në fund të procesit të numërimit.

Por në rastin e votimit elektronik, kjo nuk është e mundur. Vetëm teknikë të specializuar mund të kontrollojnë dhe monitorojnë gjithçka, çka përjashton shumicën dërrmuese të popullsisë dhe kjo është jokushtetuese në shumë vende”, thotë Zaneti.

Kjo është arsyeja pse Gjermania dhe Holanda kanë vendosur të mos e aplikojnë më këtë mënyrë votimi.

Vitin e kaluar, danezi Sijmen Euwhof, i vetëquajtur “haker me etikë”, bëri një analizë në fushën e sigurisë informatike që lidhet me votimin elektronik.

Ai zbuloi disa gabime dhe qeveria holandeze vendosi që në zgjedhjet e ardhshme të braktiste numrin elektronik të përdorur deri atëherë, për t’u kthyer te ai manual.

“Sondazhet dhe zgjedhjet në internet janë shumë vulnerabël dhe nëse e përdorni këtë sistem për të vendosur se kush do ju qeverisë, duhet të lini mënjanë kompjuterat.

Nëse doni ta mbroni sistemin nga hakerat e shteteve, braktisni ato”, tha ai një vit më parë.

Me pak fjalë, hija e hakerëve rusë shtrihet edhe mbi zgjedhjet në Evropë, pas dyshimeve për ndërhyrje në ato amerikane dhe paralajmërimeve të agjencive të ndryshme të inteligjencës.

“Ajo që njerëzit nuk kuptojnë është se ato janë makina komplekse, shumë të pasigurta dhe kërkohen shumë përpjekje për të garantuar që sistemi të mos mund të hakohet”, thotë Euwhof.

Rasti i fundit që të bën të mendosh se hakerat janë kërcënim real është ai i vjedhjes së të dhënave të rreth 1000 politikanëve gjermanë pak javë më parë.

I pari që ngriti alarmin e mundësisë së një ndikimi të tillë në zgjedhjet europiane ishte vetë ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer.

“Ne do të përballemi me zgjedhjet evropiane në maj të këtij viti. Unë nuk dua të parashikoj asgjë, por ne duhet të marrim masa për të parandaluar përpjekjet për të ndikuar në këto zgjedhje”, tha ai.

Rrjetet sociale hyjnë në lojë

A mund ta përjashtojmë si mundësi ndikimin e hakerave në votim, sidomos në një kohë kur zgjedhjet europiane po afrojnë? Fatkeqësisht jo.

Tashmë në “fushë” kanë zbritur hakerat socialë, të cilët bëjnë bashkë kompetencat informatike dhe sociologjike për të ndikuar te votuesi, siç dyshohet se ka ndodhur në zgjedhjet e fundit presidenciale të SHBA-ve dhe në referendumin për Brexit-in.

Shumë prej këtyre hakerave dyshohet se punojnë në kompaninë ruse Sputnik. Ata kanë punuar për vite me radhë në kontinentin e vjetër dhe kanë zhvilluar teknika jashtëzakonisht të sofistikuara dhe efektive për të drejtuar opinionin publik drejt qëndrimeve apo partive të caktuara politike.

Sipas një artikulli të botuar në Politico.eu, skema të sakta për të ndikuar opinionin publik përmes përdorimit të rrjeteve sociale u gjetën gjatë diskutimeve mbi pavarësinë katalanase.

Të tilla dyshohet se janë përdorur për të provokuar në Holandë ndjenja negative ndaj Ukrainës, për të nxitur lëvizjen e “jelekëve të verdhë” në Francë dhe për t’i hedhur benzinë “zjarrit” të disa çështjeve aktuale në Itali si imigracioni i paligjshëm dhe flukset migratore. (TemA TV)