Platforma për dërgimin e mesazheve, WhatsApp, do t’i kufizojë të gjithë përdoruesit e saj në përcjelljen e një mesazhi deri në pesë herë, në përpjekje për të penguar shpërndarjen e lajmeve të rreme.
Platforma e poseduar nga Facebook-u ka nisur ta zbatojë këtë politikë në Indi që gjashtë muaj.
Deri tani, përdoruesit gjetkë kanë mundur ta përcjellin mesazhin e njëjtë deri në 20 herë.
Përditësimi i rregullave të platformës u bë publik në një ngjarje në Xhakartë të Indonezisë.
Ky vend do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme në prill.
“Kufizimi i pëcjelljes së mesazheve i redukton ndjeshëm mesazhet e dërguara në të gjithë botën”, tha për BBC-në një zëdhënëse e WhatsApp-it.
Javën e kaluar, Facebook ka njoftuar se ka fshirë 500 faqe dhe llogari që besohet se kanë qenë të përfshira në shpërndarjen e lajmeve të rreme në Evropën Qendrore, Ukrainë dhe vende të tjera të Evropës Lindore./R.E.L