Nga Rikard Jozwiak, Rel
Jashtë selisë së NATO-s në Bruksel gjendet një monument nga metali, që tregon kohën e anëtarësimit të shteteve në aleancën veri-atlantike.
Duke nisur nga viti 1949, njëherësh viti kur është themeluar NATO-ja, aty janë gravuar emrat e 12 anëtarëve fillestarë.
Rreth 30 centimetra, në anën e djathtë, shihet viti 1952 dhe dy anëtaret e reja të asaj kohe, Greqia dhe Turqia, të përcjellura pas 30 centimetrash tjerë nga Gjermania, që është anëtarësuar në aleancë më 1955. Më pas vërehet një hapësirë e madhe, pothuajse tre metra derisa të shfaqet data e radhës, 1982 dhe Spanja që gjendet afër saj, e pasuar nga vendet tjera që më pas janë shtuar ndër vite.
Pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim nga ajo që do të quhet Maqedonia Veriore në të ardhmen më 6 shkurt, një emër tjetër pritet t’i shtohet listës rreth pranverës së vitit 2020, meqë parlamentet e 29 aleatëve tjerë duhet ta ratifikojnë dokumentin.
Ky fakt do të rezultojë me hapësirë prej 4 metrash për anëtarësime. Ose rreth 40 vjet, nëse ndiqet logjika e monumentit.
Kjo gjë krijon idenë e bujarisë në shikim të parë, mirëpo e vërteta është që dyert e hapura të aleancës ka mundësi që do të mbyllen ashpër, në një të ardhme që mund të parashikohet, pasi Shkupi të kthehet në anëtarin e 30-të të NATO-s.
Aktualisht janë tri shtete që kanë shpërfaqur synimet e tyre për t’iu bashkuar aleancës: Bosnja, Gjeorgjia dhe Ukraina. Nga të tria, Bosnia duket se ka më së shumti mundësi për të realizuar këtë qëllim pasi ka siguruar Planin e Veprimit për Anëtarësim (PVA).
Ky plan, që u ndihmon shteteve për të arritur standardet e NATO-s, si dhe i përgatit për anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, i është dorëzuar Sarajevës më 2010. Në fund të vitit të kaluar, ministrat e NATO-s kanë inkurajuar Bosnjën që të prezantojë Programin e parë Kombëtar Vjetor, ashtu që të shënojë përparim në PVA. Megjithatë, situata nuk është kaq e thjeshtë sa duket.
Fillimisht, Bosnja nuk ka shumë gjasa që të dorëzojë këtë plan në një periudhë afatshkurtër. Përfaqësuesi serb në presidencën tripalëshe në këtë shtet, Milorad Dodik, ka përmbysur secilën përpjekje, ende ka e arritur cakun kur është bërë fjalë për këtë çështje.
Mirëpo e vërteta është edhe se Sarajeva ende nuk e ka përmbushur një kriter që NATO-ja i pati vënë, kur ky shtet është pajisur me Planin e Veprimit për Anëtarësim: regjistrimin e pronave të paluajtshme të fushës së mbrojtjes, si pronë të shtetit, sepse në këtë mënyrë mund të kuptohet nëse shteti boshnjak kontrollon këtë fushë. Përveç kësaj, zyrtarët e NATO-s kanë shprehur shqetësime edhe për përparim të ulët në reforma, sundimin e ligjit, korrupsionit dhe lirisë së mediave.
Prandaj rasti i Bosnjës konsiderohet i komplikuar në këtë moment dhe duket se do të vazhdojë të mbetet i tillë.
Kur është fjala për Gjeorgjinë, NATO-ja ka vepruar krejtësisht ndryshe për dallim nga Bosnja. Prej kur këtij shteti i është premtuar anëtarësimi gjatë Samitit të Bukureshtit më 2008, Tbilisi ka prezantuar 10 Programe Kombëtare Vjetore, mirëpo nuk ka ndodhur njëjtë edhe me Planin e Veprimit.
Pavarësisht kësaj, NATO-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për t’i ndihmuar Gjeorgjisë që të mbrojë veten dhe në mars të këtij viti, ky shtet do të zhvillojë stërvitjet më të mëdha ushtarake. Por, aktualisht shumë shtete të aleancës, sidomos në Evropën Perëndimore janë duke u fshehur pas Gjermanisë dhe Francës, duke pretenduar se anëtarësimi i Gjeorgjisë do të mund të armiqësojë Rusinë.
Ideja e Tbilisit për t’u kthyer në një “Gjermani Perëndimore” duke u anëtarësuar mirëpo duke lënë jashtë rajonet e shkëputura të Abkazisë dhe Osetisë Jugore nga mbrojtja e përbashkët e NATO-s, nuk ka gjetur përkrahje në Bruksel.
Zyrtarët e NATO-s kanë thënë jozyrtarisht se do të ishte shumë më mirë sikur Gjeorgjia të fokusohej në arritjen e standardeve të Gjermanisë Perëndimore në fushat siç janë të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
Sa i përket Ukrainës, situata është e ngjashme me Gjeorgjinë, veçse ky shtet është edhe më poshtë në listë.
Udhëheqësia në Kiev ende nuk ka kërkuar ndonjë Plan Veprimi, duke dhënë shenja se është duke ndjekur praktikën gjeorgjiane.
Po pjesa tjetër?
Neutraliteti kushtetues i Moldavisë pritet të vazhdojë të mbetet pavarësisht se kush drejton shtetin. Mirëpo edhe nëse kjo gjë nuk do të ekzistonte, ky shtet do të ishte pjesë e grupit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës.
Kosova ndoshta mund të konsiderohet kalë i zi nëse marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të përfshinte kërkesën, që anëtarët e aleancës që nuk kanë njohur Kosovën si shtet, tani të njohin pavarësinë e saj. Megjithatë, veprimi i fundit i Prishtinës, për të krijuar ushtrinë e vet, nuk ka fituar pëlqimin e disa vendeve të bllokut.
Ndoshta basti më i sigurt në këtë moment, për atë se cilët emra do të jenë të radhës që do të shtohen në monumentin e ndritshëm, ka të bëjë me dy shtete, që tani nuk dëshirojnë të jenë pjesë e aleancës, mirëpo do të pranoheshin nga Brukseli pa menduar dy herë: Finlanda dhe Suedia. Çdokush mund të parashikojë se cili do të jetë ai vit, mirëpo me rritjen e prezencës kërcënuese të Rusisë rreth Detit Baltik, popullata në të dyja shtetet është duke u mësuar ngadalë me idenë e të hequrit dorë nga neutraliteti i tyre zyrtar.