Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett u dorëzoi të martën udhëheqësve të Kosovës një letër të nënshkruar nga tre zyrtarë të lartë amerikanë që paralajmërojnë masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.
Në letrën e nënshkruar nga Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, shprehet keqardhja për refuzimin e deritashëm të Kosovës për të dëgjuar këshillat amerikane.
Ne letër citohet presidenti Donald Trump i ciili në dhjetor të vitit të kaluar u shkroi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se ky është momenti i mundësisë së Kosovës, që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë të ndërmarr një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve euro-atlantike si dhe të përparojë si një vend i qëndrueshëm, përparimtar e i sigurt.
“Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake, do të mund të rrezikojnë këtë qëllim. Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta“.
Në letër theksohet se meqë kërkesat për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, “kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë. Fillimisht, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit(Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë. Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë tuaj, do të ishte e pavend që një vizitë e tillë të ndodhte. Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse ato do të shkurtohen“.
Në letër theksohet se “Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikanë dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona“.
Të tre zyrtarët theksojnë në letër se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, “e cila do të përqendrohej në njohje të ndërsjellë, gjë që do të ishte e zbatueshme, e qëndrueshme dhe në dobi të të dyja palëve. Në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm. Edhe pse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrijmë një të ardhme të sigurisë dhe përparimit. Qëllimi ynë është që të shohim Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’u kthehen bisedimeve. Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i tarifave. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju“, thuhet në letër.
Haradinaj: Marrëdhëniet me SHBA-të të pacenueshme – tarifat nuk i heqim
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e kishte pranuar letrën më herët gjatë ditës nga ambasadori amerkan Philip Kosnett, tha se marrëdhënia e ngushtë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pacenueshme, pavarësisht dallimeve që shfaqen ne opinione, ndërsa ritheksoi qëndrimin se tarifat ndaj mallrave serbe hiqen bashkë me njohjen nga Serbia.
Ai tha se “është qëndrim i qartë i Departamentit të Shtetit por edhe institucioneve tjera të Amerikës, pra janë unik dhe ata sugjerojnë që të pezullohet taksa që t’i hapet rrugë dialogut dhe është përsëritur edhe sot në takim dhe është një qëndrim i qartë i institucioneve të Amerikës“.
Ai ritheksoi se tarifat janë të lidhura me njohjen nga Serbia dhe nuk duhet të ndërlidhen me bisedimet.
“Unë mendoj që përkundër faktit që të gjithë dëshirojmë të shprehim dashurinë për Amerikën edhe respektin dhe vërtetë ne jemi, por kjo nuk ka të bëj me përvojën time me partneritet me Amerikën, kjo ka të bëjë me një proces 20 vjeçar me Serbinë që e ka lodhë Kosovën, jemi lodhë nga një gjendje e pritjes, nga një dialog që fillon e ndalet dhe i ka kushtuar Kosovës një proces i tillë. Unë jam kundër kësaj logjike më dhe do t’i mbetem besnik bindjes se ekziston mënyra për të hequr taksën, por duhet ta përgatisim një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, pra marrëveshja e heq taksën, marrëveshje detyruese ligjore për njohje“, theksoi ai.
Pezullimin e tarifave e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian ndërsa pakënaqësinë me to e shprehu të martën edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke paralajmëruar se ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë të enjten qasjen e aleancës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, shndërrimi i së cilës në ushtri është votuar në dhjetor të vitit që lamë pas nga parlamenti i Kosovës.
“Disa aleatë mendojnë se ishte kohë e papërshtatshme për vendimin e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës ne ushtri, disa aleatë kanë shprehur zhgënjimin me tarifat dhe e kanë bërë të qartë se Forcat e Sigurisë duhet të respektojnë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen e Brukselit se nuk do të hyjnë në veriun e Kosovës pa lejen apo mbështetjen e komandantit të KFOR-it“, tha ai.
Sekretari Stolteneberg tha se nuk ka ende ndonjë vendim rreth qasjes ndaj Forcës së Sigurisë, ndërsa theksoi se misioni i forcave paqeruajtëse të KFOR-it mbetet i pandryshuar.
Vendimi i Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të saj nxiti reagim në Beograd dhe pakënaqësi tek një pjesë e vendeve anëtare të NATO-s, por u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të cilat ndërkaq po i kërkojnë Kosovës të pezullojë tarifat dhe të shmang kësisoj fajësimin për bllokimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.
Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.(VOA)