Ballina Aktualitet Lajme Nuhiu: MPB e Prokuroria po merren me postimin problematik të Vankovskës në...

Nuhiu: MPB e Prokuroria po merren me postimin problematik të Vankovskës në FB për aksidentin në Karapalak

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka filluar sot të merret me postimin kontrovers të profesoreshës Biljana Vankovska për aksidentin e mbrëmshëm tragjik me autobus në të cilën humbën jetën 15 qytetarë të vendit e u lënduan disa të tjerë.

Zëvendës-Ministri Agim Buhiu tha për Zhurnal.mk se MPB tashmë ka nisur procedurat përkatëse për postimin e saj në facebook: “Çfarë tragjedie dhe ironie. Karpalak!”.

“Po MPB ka deponuar informacionin për statusin e profesoreshës”, tha për Zhurnal.mk, zëvendës-ministri Agim Nuhiu sot në orët e pasditës.

Ai në një bisedë me Zhurnal.mk sqaroi se MPB ka ngritur procedurë për statusin e Vankovskes dhe se tash “fjalën e ka prokuroria se si do ta kualifikojë veprën e Vankovskes”.

Postimi i profesoreshës në Universitetin Kiril Metodij ka shkaktuar reagime të menjëhershme të shqiptarëve, por edhe të disa maqedonasve.

Shqiptarët e akuzuan atë se ajo bëri këtë postim duke menduar se aty humbën jetën vetëm shqiptarët si shenjë e hakmarrjes ndaj tyre përmes këtij aksidenti apo edhe si kompensim për ngjarjet e 7 Gushtit 2001, kur dhjetë ushtarë maqedonas u vranë nga UçK në kohën e luftës 7 muajshe.

Shumica e maqedonasve i dolën në mbrojtje Vankovkës dhe shkruan se ajo nuk mendoi keq. Por ka edhe të tillë që e kritikuan pse ajo aksidentin tragjik me autobus e ndërlidhi me ngjarjet e vitit 2001. E kritikuan pse një fjali e tillë doli sidomos nga profesoreshë.

Vankovska pastaj tha se ajo nuk ka aluduar në asgjë dhe nuk duhet të shihet fjalia e saj si gjuhë urrejtje ndaj shqiptarëve.

Interpretimet ndërkohë po vazhdojnë nëse profesoresha e filozofisë në Universitetin Kiril Metodij mendoi dhe shkruajti në FB me gjuhë urrejtje apo jo. Shqiptarët thonë se po, e shumica e maqedonasve që kanë ndërhyrë në FB thonë se jo.

Ndërkohë për të tentuar marrë sqarime shtesë, Zhurnal ka tentuar që të kontaktojë Universitetin ku Vankuvska ligjëron. Por personat në anën tjetër të telefonit pasi që kuptuan për çka është fjala mbyllën telefonin. Edhe 10 tentime të tjera të Zhurnal ishin të kota. Universiteti Kiril metodik nuk e hap më telefonin. Tentimet e Zhurnal për të marrë qëndrimin e universitetit përsëri dështuan edhe më vonë kur u hap telefoni. Në anën tjetër të telefonit thonë se universiteti nuk ka shërbim për komunikim me mediat e Sekretari i universitetit nuk është në dispozicion.

Që nga viti 2014 në Maqedoni është freskuar ligji me të cilin ndëshkohet gjuha e urrejtjes, përhapja e materialeve të tilla përmes internetit, promovimi apo nxitja e urrejtjes, diskriminimit e dhunës, kundër individit apo grupit.

Dispozitat e reja ligjore për këto lloj shkelje parashohin ndëshkim me para dhe madje edhe burgim prej 1 deri 5 vjet.

Nëse ka bazë për të shqyrtuar fjalët e Vankovskës sipas këtij ligji, kjo mbetet që të shihet nga autoritetet përkatëse.