Mbi 3500 gjoba dhe masa të tjera për parkim të gabuar dhe në vende të ndaluara janë shqiptuar nga policia e Tetovës gjatë vitit të kaluar, informon SPB – Tetovë, transmeton Tetova News.
Për parkim të gabuar në përputhje me nenet 63 dhe 66 nga Ligji për siguri të trafikut rrugor iu janë prerë mandate të detyrueshme pagese me gjoba që variojnë nga 45 deri në 180 euro në kundërvlerën me denarë ose 25 deri në 40 pikë negative në patentën e shoferit.
Makinat e parkuara gabimisht dhe të lëna në vende të ndaluara dhe që pengonin lëvizjen normale të pjesëmarrësve të tjerë në trafik, u zhvendosën nga shërbimi karrotrec dhe u transportuan në vendin e posaçëm.
Shumica e këtyre kundërvajtjeve të vitit të kaluar kishin të bënin me parkimin në vendkalimet për këmbësor, në trotuare, në hapësira të gjelbëruara, në të ashtuquajturat radhë të dyfishta, në kryqëzime, ura dhe në vende të tjera.
Gjatë janarit të këtij viti, numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve që kanë të bëjnë me parkimin e gabuar është 273, kurse policia paralajmëron për rritje të kontrollit gjatë muajit shkurt, në veçanti në bulevardin “Iliria” dhe Rrugën e Ilindenit./TetovaNews