Shkolla Fillore në Reçicë të Vogël e cila u premtua edhe nga vetë kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, nuk është realizuar. Në emisionin Click Plus më 5 qershor të vitit të kaluar, gjatë debatit me qytetarët, Arifi tha se kanë konkuruar me projekt konkret për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël dhe se gurthemeli do të bëhet nga mesi i verës të vitit të kaluar.
“Jemi shumë të bindur që do të arrihet këtë vit të bëhet shpallja për sa i përket operatorit dhe eventualisht arritjes së gurthemelit. Gurthemeli mund të arrihet në sezonin ndërtimor të këtij viti, por nësë nuk arrihet atëherë do të pritet sezoni pranveror. Tendenca do të jetë që të arrihet sezoni i këtij viti”, tha Teuta Arifi – Kryetare e komunës së Tetovës.
“Ky është vendi ku duhet të ndërtohet Shkolla Fillore në Reçicë të Vogël. Edhe përkundër faktit se e para e Tetovës zonja Tetuta Arifi e ka premtuar dy herë ndërtimin e kësj shkolle, deri më tani ashtu siç mund të shihni në pamjet filmike që siguroi TV 21 nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret”, u shpreh Armend Abazi – gazetar i Tv21.
Nga Drejtoria për Arsim në Tetovë thonë se kompetencat për investime më të mëdhaja kapitale i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Kompetencat në lidhje me investimet më të mëdhaja kapitale në sferën e arsimit janë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjegjësisht të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Në lidhje me shkollën fillore në Reçicë të Vogël, është prononcuar edhe kryeministri i shtetit. Unë nuk mundem të shtoj asgjë më tepër nga fjalët të cilët i tha kryeministri i Republikës së Maqedonisë, shpresojmë që sa më shpejt do të realizohet ajo që u tha nga ana e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë dhe besojm që me realizimin e këtij projekti kapital Tetova do të ketë edhe një shkollë të re fillore”, tha Ahmed Qazimi – Drejtor për arsim në komunën e Tetovës.
Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se qëndrojnë në dispozicion për t’u involvuar drejtpërdrejt që edhe Reçica e Vogël të këtë shkollë fillore.
“Ne qëndrojmë në dispozicion si Ministri e Arsimit dhe Shkencës që në rast se nuk gjinden mjetet e nevojshme, ateherë si Ministri e Arsimit dhe Shkencës do ta marrim përsipër që të involvojmë drejtpërdrejt që Reçica e Vogël të ketë edhe shkollë fillore”, u shpreh Arbër Ademi – Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ademi gjithashtu nënvizoi se Komuna e Tetovës pranë qeverisë së Republikës së Maqedonisë ka bërë aplikimin e nevojshëm edhe se aplikimet nga grupi punues në kuadër të qeverisë janë duke u shqyrtuar. Qeveria po shqyrton edhe modalitetet e ndryshme të financimit për më tepër objekte të ndryshme infrastrukturore, përfshirë këtu edhe ndërtimin e shkollave të reja në nivel nacional.
Përgatiti:Armend Abazi