Ballina Aktualitet Opinione SI DERRI I TËRPOS

SI DERRI I TËRPOS

Bexhet Asani

Nga Bexhet Asani

Skicë për portret

Po marrë shkas nga një frazeologji strugane, me qëllim që të kujtojë mjekun e famshëm ortopedin popullor Tërpo. Tërpo jetoi në fshatin malor Vishnjë të Strugës. Ndërroi jetë aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzetë. Po ç’ është kjo frazeologji!? Si ka mbetur te banorët struganë!? Dr. Tërpo, (kam nderin dhe kënaqësinë ta quaj me plotë kuptimin e fjalës doktor, sepse e meritonte këtë titull) bënte relativisht jetën e një njeriu të kamur. Shtëpinë dykatëshe prej guri cikllop, e kishte në hyrje të fshatit Vishnjë, mbi një kodër në anën e majtë, rrugës për te ahishtat shekullorë, të cilët qëndrojnë krenarë në Malin Jabllanicë në kufirin shqiptaro -maqedonas. Shtëpia e gurtë ka hajat në hyrje të saj nga perëndimi i cili është i shtruar me kalldrrëmë, qëndron sot e kësaj dite si monument kulture.

Tërpoja mbante derra meqë i ushqente mirë ishin tepër të shëndoshë dhe ata kullotnin në oborrin e shtëpisë. Si ngopeshin së ngrëni, derrat zhgërryheshin sa gjatë e gjerë. Këtë vit, vitin 2019, kinezët e festojnë Vitin e derrit! Viti I derrit për kinezët është viti i begatisë. Kështu, fshatarët tanë kur shihnin ndonjë djalë të shëndoshë i drejtoheshin: – Qenke bërë si derri i Tërpos..! Tërpo i famshëm shkoi në amshim, derrat e tij u zhdukën, por ama frazeologjia mbeti: Si derri i tërpos! Ka shtuar në peshë, është shëndoshur tepër.

Po si e kujtojnë bashkëkohanikët Tërpon? Si e kujtoj unë dr. Tërpon si pesë-gjashtë vjeçar? Për Tërpon njerëzit të cilët e njihnin, flisnin me admirim për shëronjësin. Djali i tij Tane, duke luajtur me shokët e tij te Lumi Shushicë, ishte rrëzuar nga shkëmbi dhe kishte thyer këmbën. Shokët e tij e lajmërojnë dr. Tërpon se Tane ishte rrëzuar nga shkëmbi dhe se e ishte dëmtuar mjaftë! Ai iu përgjigjet: – Le t’ i ketë të thyer të gjithë eshtrat, vetëm le të jetë me shpirt..! Nga kjo fjali mund të konstatohet se sa i madh ishte në profesionin e tij autodidakt të ortopedisë dr. Tërpo.

Duke luajtur me mua si pesë-gjashtë vjeçar, vëllai im i madh Amedani, ma nxjerrë nga nyja krahun e djathtë. Babai im, ia vë samarin kalit dhe nisemi kodrës përpjetë për në Vishnjë, ku jetonte Tërpo. Pas një rrugëtimi, gati një orë, mbërrimë te shtëpia e Tërpos. Babai, kalin e futi në hajatin e shtëpisë dhe thërriste: – O axhë Tërpo!

Pas nja dy – atri të thirrurash doji gruaja e tij, me një përgjigje të vrazhdë në maqedonishtë: – Ne e tuka Tërpo..! ( Nuk është këtu Tërpo!) – Po ku është? – iu përgjigj i shqetësuar babai im. Gjatë këtij dialogu, jo të këndshëm, si dëgjon zërin e babait tim dr. Tërpo, del jashtë dhe me një shqipe të kulluar i drejtohet babait tim: – Hyrë brenda Xhevit, mos ia vër veshin asaj! Duke aluduar në bashkëshorten e tij. U futëm brenda, ndërsa Balashin e lamë jashtë te hajati i shtëpisë. – Ec te axha, mos ki frikë! E kapi krahun tim dhe për disa sekonda e çoi nyjën në vend. Babai im nxori para nga xhepi që ta darovitte. Po dr. Tërpo, nuk i mori asnjë metelik dhe na përcolli me përzemërsi.

Po nuk kishte faj zonja e shtëpisë sepse kur dolëm jashtë kali Balash e kishte bërë një grumbull me bajga, te hajati me kalldrrëm.

Tregojnë se kur ndërroi jetë dr. Tërpo, aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, se në varrimin e tij ka pasur mijëra vetë të krishterë e myslimanë. Burra shqiptarë me kapela të bardha si dëbora ijepnin lamtumirën e fundit me pikëllim të thellë doktorit e djalit të tyre të dashur.

Dr. Tërpo ishte një humanist i shquar edhe pse ndiqej nga shteti ish Jugosllav për punën e tij “ilegale” ai për asnjë çast nuk e ndali punën e tij fisnike. Ndiqej nga pushteti sepse atë botë në qytetin e Ohrit, buzë liqenit, ishte hapur Instituti ortopedik dhe se tani të sëmurët duhej të trajtoheshin në mënyrë shkencore, me gjips dhe se jakisë që ishte përdorur me shekuj i kishte kaluar koha! Po kush mund ta bindte popullin që të mos shkonte te ortopedi popullor dr. Tërpo…!?

Mjeku popullor Tërpo kishte dhunti të jashtëzakonshme në rregullimin e eshtrave të thyera e muskujve të përdredhur të trupit të njeriut.

Pasardhësit e dr. Tërpos e trashëguan zanatin e tij, por ai është i pazëvendësueshëm!

Humanistë të tillë rrallë lindin..!

@tn.lajmelokale
@tetovanews