Ish-kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se synimet e Serbisë për ta marrë veriun e Kosovës nuk janë të reja.
Tahiri ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se ish-diktatori jugosllav, Sllobodan Millosheviq, kishte dhënë sinjale se nëse Kosova jep veriun, do t’i shpëtojë luftës.
Këto sinjale të Millosheviqit i janë përcjellë Kosovës nga diplomatë të regjimit të tij, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, kjo ka ndodhur në vitin 1994 apo 1995.
Përgjigja e Kosovës “ka qenë kategorike”, ka treguar Tahiri.
“E para, veriu i Kosovës është shqiptar. E dyta, është pjesa më e pasur e Kosovës. Një Kosovë e pavarur mund të mbijetojë si shtet, kur ka diçka nga pasuritë”, është shprehur ajo.
“Synimet e Serbisë për veriun nuk janë të reja, nuk janë të sotmes”, ka thënë Tahiri.