Ballina Diaspora Diaspora si “infuzion” financiar

Diaspora si “infuzion” financiar

Shembulli nga Evropa i suksesit ekonomik është Irlanda. Për vetëm një ndërrim gjeneratash – nga një shtet që ishte ndër më të varfrit në kontinentin e vjetër me shkallë të lartë të emigracionit, u shndërrua në shtetin e tretë në Evropë sipas të ardhura neto, pas Luksemburgut dhe Danimarkës

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 mars – Një e katërta e popullatës së Maqedonisë jetojnë jashtë saj. Sipas analizës së Qendrës “Per Vju” të bazuar në statistikën e Kombeve të Bashkuara për vitin 2015, në Maqedoni – 21 për qind e popullatës apo 510 mijë banorë janë mërgimtarë. Bile në vitet e fundit nga i tërë Ballkani Perëndimor shënohet një eksod i vërtetë i fuqisë punëtore nga rajoni për shkak të pagave të ulëta në Ballkanin Perëndimor dhe mungesës së perspektivës së qartë në shtetet e rajonit. Në vitet e fundit, nga Maqedonia vetëm në Gjermani kanë ikur me dhjetëra mijë punëtorë të kualifikimeve të ndryshme si mjekë, motra medicinale, inxhinierë të profileve të ndryshme, punëtorë të ndërtimtarisë, shoferë, berberëve…

Ekspertët alarmojnë se rajoni nevojitet ti kushtojë një vëmendje më të madhe diasporës duke ndjekur në mos tjetër përvojat pozitive irlandeze, për të shfrytëzuar potencialin e madh të tyre në favor të rimëkëmbjes ekonomike të këtyre shteteve.

IRLANDA, SHEMBULLI NGA EVROPA I SUKSESIT EKONOMIK

Sipas ekspertes Alida Vraçiq për shtetet e rajonit , niveli i lartë i migrimit shkakton jo vetëm problem, por njëherësh paraqet edhe zgjidhje të mjaft problemeve. “Shtete e rajonit nuk e kuptojnë se diaspora mund të jetë e dobishme për ardhmërinë e tyre .Bile edhe kur ato kanë sens për këtë problematikë, atyre ju mungojnë edhe të dhënat elementare sipas të cilave do të mund të ndërtojnë politika të qëndrueshme lidhur me emigracionin. Mërgimtarët shpesh posedojnë shkathtësi të veçanta, megjithatë rrjetet e tyre, pasuria dhe ndikimi i tyre mbetet i pashfrytëzuar nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, qeveritë si rëndom fokusohen në remitancat e tyre dhe përpiqen që ato ti shfaqin si ndonjë sukses”, thotë Vraçiq. Për realizimin e qëllimeve afatgjate ekonomike dhe sociale, por edhe për ardhmërinë e tërë rajoni si dhe Maqedonisë së veriut , faktor kryesor do të jetë shfrytëzimi i potencialit të mërgimtarëve dhe diasporës vlerëson Vraçiq.

“Të gjitha shtete e Ballkanit perëndimor nevojitet të shfrytëzojnë përvojën e Irlandës dhe të krijojnë së pari, bazën e të dhënave për të evidentuar në mënyrë të saktë mërgimtarët si dhe profesionet apo arsimin e tyre. Nevojiten edhe programe për përforcimin e lidhjeve midis mërgimtarëve dhe atdheut si dhe zhvillimi i rrjeteve që do të mundësojnë qasje më të mirë ndaj nevojave të diasporës. Gjithashtu, nevojitet edhe nxitje dhe stimulim më i madh i investimeve nga ana e mërgimtarëve”, shton ajo.

Shembulli nga Evropa i suksesit ekonomik është Irlanda për vetëm një ndërrim gjeneratash nga një shtet që ishte ndër më të varfrit në kontinentin e vjetër me shkalla të larta të emigracionit , ai u shndërrua në shtetin e tretë në Evropë sipas të ardhura neto, pas Luksemburgut dhe Danimarkës. Bile sot në Irlandë, paga mesatare është mbi 2500 euro, apo edhe më e lartë se në Suedi. Transformimi irlandez nga një shtet i pasuksesshëm në shtet të suksesshëm ishte projekt kombëtar ku morën dhe marrin pjesë të gjithë, qytetarët si individë, punëdhënësit, kompanitë e mëdha, partitë politike , pushteti dhe institucionet. Programi u realizua me ndihmën e madhe të diasporës , ndërsa banorët e Irlandës vendosën që fëmijët e tyre do të kenë zgjidhje që ata nuk e kishin, dhe se nuk e kanë patjetër të ikin jashtë për shkaqe ekonomike.

STRATEGJIA KOMBËTARE PËR DIASPORËN

Në ndërkohë, javën e kaluar Qeveria e Maqedonisë së veriut e miratoi Strategjinë Kombëtare për bashkëpunim me diasporën që pritet të shikohet se çfarë rezultatesh do të sjellë në 5 deri 10 vitet e ardhshme . Ministri përgjegjës për Diasporën, Edmond Ademi, thotë se strategjia kombëtare për diasporën paraqet bazën e ndërlidhjes institucionale të shtetit dhe diasporës kundrejt partizimit nga e cila përfitime do të kenë shteti dhe diaspora.

Ai po ashtu theksoi se strategjia bazohet në katër shtylla kyçe. “Shtylla e parë janë çështjet politiko-juridike dhe konsullore. Shtylla e dytë janë diaspora dhe zhvillimi ekonomik. Shtylla e tretë janë arsimi, shkenca dhe të rinjtë dhe shtylla e katërt janë lidhjet kulturore, identiteti kulturor dhe trashëgimia kulturore”, thotë Ademi, duke shtuar se sipas nevojave për strategjinë në vitin 2021 është paraparë revizion. Sipas tij, me interes të veçantë në strategji veçohet avancimi i procesit zgjedhor të diasporës dhe krijimi i supozimeve institucionale për informim më të madh dhe përfshirja e diasporës në promovimin e interesave të Maqedonisë së Veriut. Strategjia kombëtare është bërë me mbështetje të ekspertëve nga Organizata ndërkombëtare për emigrantë (IOM).

Ndryshe, një nga masat strategjike është edhe vendosja e gjashtë linjave të reja të avionëve në shtetet ku jetojnë numri më i madh i mërgimtarëve nga Maqedonia. (koha.mk)