Sekretari përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka sulmuar kryeministrin Rama, ndërsa shkruan se halli i tij nuk është hapja e negociatave, por ruajtja e karriges me çdo kusht.
Në një postim në Facebook, ai shkruan se ishte pikërisht ky hall që e detyroi të fshihej 4 ditë më radhë, pa e ditur askush çfarë bëri Kryeministri i vendit në Paris dhe Berlin.
Postimi i plotë i Bardhit
Halli i Edi Ramës nuk janë negociatat. Për hapjen e tyre i gënjeu njëherë shqiptarët vjet, po kërkon t’i gënjejë sërish këtë vit, duke mbuluar me mashtrime dështimin e tij më të madh këto 6 vite. Halli i vetëm i Edi Ramës është ruajtja me çdo çmim e karriges së kryeministrit, të cilën ia ka blerë krimi i organizuar.
Është ky hall që e detyroi të fshihej 4 ditë më radhë, pa e ditur askush çfarë bëri Kryeministri i vendit në Paris dhe Berlin, me kë dhe përse u takua fshehurazi. Dosja 339, dosja 184 dhe ndonjë dosje tjetër janë halli më i madh i Edi Ramës.
Ato i faktojnë para botës se ai vuan nga sëmundja e diktatorëve – mbajtjen e pushtetit me çdo çmim, duke bërë pakt me krimin dhe duke blerë vota me paratë nga trafiku ndërkombëtar i drogës. I sëmuri i Ballkanit është halli më i madh që kanë shqiptarët.
Është ky hall që mban dyert e Europës mbyllur, që i varfëron çdo ditë shqiptarët për të pasuruar veten dhe një grusht oligarkësh. Këto 6 vjet na kanë treguar se pa zgjidhur këtë hall, për shqiptarët nuk do të ketë Europë, nuk do të ketë mirëqenie.