Ballina Aktualitet Lajme Përfundoi takimi Zaev-Mickoski (VIDEO)

Përfundoi takimi Zaev-Mickoski (VIDEO)

22:39 – Në objektin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit, Zoran Zaev dhe liderit të partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Ky i fundit, pas takimit ka treguar se temë diskutimi ka qenë: dueli televiziv Zaev – Mickoski, zgjedhjet presidenciale të parakohshme, realizimi i zgjedhjeve presidenciale kredibile, realizimi i pakos së ligjeve reformuese dhe Ligji për Prokurorinë Speciale Publike (PSP).

“Kemi shkëmbyer fakte, mendime, i kemi dëgjuar argumentet edhe të Qeverisë. Maqedonia duhet të shkojë përpara, dhe të bëhet vend i mirë për jetesë për të gjithë. E kam përcjellë edhe ndjenjën se kemi përndjekje politike. Besoj se ky takim ishte i nevojshëm, për zgjedhje presidenciale kredibile, dhe ku kandidatja Gordana Siljanovska do të jetë fituese, si dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve në qershor”, tha Mickoski.

Sa i takon Ligjit të PSP-së, Mickoski ka deklaruar se ka shumë vërejtje dhe se ekipi i deritashëm i PSP-së nuk e meriton edhe një mandat.

“Të enjten e kemi marrë propozim-Ligjin për prokurorinë, dhe deri tash nuk kemi pasur mundësi të marrim pjesë në abstrakt. Ky ekip nuk mund ta marrë besimin edhe të njëhershëm të qytetarëve. Personalisht, si person dhe profesionist, ai ekip nuk duhet të marrë edhe një mandat”, tha Mickoski, i cili shtoi se prej nesër do të nisin me punë edhe grupet e punës për korrigjim të atij Ligji.

Ndryshe, Ligji i ri për Prokurorinë Speciale me të cilën rregullohet statusi i PSP-së, i cili kaloi në seancë qeveritare, në dispozitat përfundimtare parashikon që “bombat” do të vlejnë vetëm për lëndët për të cilët Prokuroria Speciale i ka hapur deri më 20 qershor të vitit 2017. Kjo nënkupton që pas atij afati, “bombat” nuk do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë gjyqësore.

Propozoi-ligji parashikon se materialet e përgjuara të cilat nuk do të dorëzohen në gjykata, do të ruhen në PSP një vit pas mbarimit të plotfuqishëm të të gjitha procedurave gjyqësore. Për votimin e ligjit në Kuvend është e nevojshme shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht 80 deputetë. Parahetimet e PSP-së do t’i udhëheqin Prokuroritë, pavarësisht prej kompetencave.