Një javë para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) akoma është duke verifikuar listën zgjedhore. Numri i saktë i qytetarëve me të drejtë vote pritet të mësohet më 29 mars, ndërsa jo zyrtarisht pritet që shifrat të kalojnë mbi 1.8 milion. Në faqen zyrtare të KSHZ-së, akoma gjendet mundësia për verifikimin e listës dhe informimin për vendvotimin. E njëjta vlen edhe për votuesit nga diaspora të cilët të drejtën e votës do ta ushtrojnë në përfaqësitë diplomatike.
Kandidatët për president, pas 10 ditëve nga fillimi i fushatës obligohen që në KSHZ të dorëzojnë raport lidhur me financimin e fushatës. Një raport të dytë KSHZ-ja e kërkon edhe në fund të fushatës, ndërsa raporti shtesë kërkohet në fund të fushatës për raundin e dytë, derisa procesi zgjedhor zhvillohet në këtë drejtim.
Sa i përket dokumenteve, shërbimet administrative të Ministrisë së Brendshme do të jenë në dispozicion edhe ditën e votimeve. Fushata presidenciale fillon më 1 prill ndërsa zhvillohet deri më 19 prill. 20 prill do të jetë heshtje zgjedhore, ndërsa më 21 prill zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve. Në garën presidenciale kësaj radhe janë paraqitur 3 kandidat. LSDM dhe BDI bashkë me 30 subjekte të tjera garojnë me Stevo Pendarovski, VMRO-DPMNE-ja me Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa si kandidat i pavarur garon ish diplomati Blerim Reka, i mbështetur edhe nga opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Në rast se në raundin e parë nuk ka fitues, raundi i dytë zhvillohet më 5 maj. Që zgjedhjet të jenë legjitime, në raundin e parë nevojitet dalje mbi 50 për qind, ndërsa në raundin e dytë 40 për qind.