Turqit do ti drejtohen kutive të votimit të dielën për zgjedhjet lokale, nga të cilat do të vendoset kontrolli i qyteteve kryesore të vendit.
Ndërsa inflacioni është i lartë dhe vendi gjendet në recension, korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, njofton se këto zgjedhje pritet të jenë një sfidë e madhe për partinë në pushtet të Presidentit Rexhep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan u dha zemër besnikëve të partisë në vendlindjen e tij, Stambollin.
Megjithëse ai nuk është vetë kandidat, zoti Erdogan po udhëheq fushatën elektorale.
Ndërsa vendi përballet me inflacionin e lartë dhe recensionin, edhe në qytete si Stambolli që dikur ishte bastioni i pathyeshëm i Erdoganit, tashmë balanca e pushtetit është zhvendosur, pas gati 20 vitesh pushteti të pathyeshëm.
Në lagjen Gungoren të Stambollit, njerëzit mbajnë radhën për ushqime të subvencionuara nga shteti, një shenjë e dukshme e vështirësive.
Një tjetër tregues është se vendet e ndërtimit janë të heshtura.
Partia kryesore opozitare, CHP, shikon për herë të parë mundësinë për të marrë pushtetin në qytetin më të rëndësishëm të Turqisë.
“E gjithë varfëria që mund të përjetojë dikush, ekziston këtu. Nuk ka zona të gjelbra, nuk ka jetë sociale. Është një distrikt i privuar nga të gjitha bukuritë e jetës. Ne do ta ndreqim këtë”, deklaroi Ekrem Imamoglu, kandidat i Partisë CHP për kryebashkiak të Stambollit.
Rajoni Gungoren e ka mbështetur me forcë partinë AK të Presidentit Erdogan në të kaluarën, por tani banorët janë të zemëruar.
“Jemi pensionistë. Kur na mbaron pensioni më 15 të çdo muaji, mbetemi të uritur. Shkojmë dhe kontrollojmë raftet për ndonjë ushqim me ulje që të gatuajmë diçka në shtëpi”, thotë Seniye, banore në Gungore.
Por, ka ende edhe mbështetës të Erdoganit në këtë distrikt, të cilët besojnë se partia ka ende potencialin për të ofruar zgjidhje.
“Kemi shumë shpresë me zgjedhjet. Erdhëm vetëm ta shohim se kush është ky Imamoglu, pasi rruga jonë është e qartë: Partia AK”, thotë një mbështetës i zotit Erdogan.
Anketimet tregojnë një rezultat shumë të afërt mes palëve.
Rezultati i votimeve të së dielës mund të përcaktohet nga mbështetësit e partisë pro-kurde HDP.
HDP-ja është akuzuar nga Erdogani si një parti terroriste. Mijëra zyrtarë të saj janë arrestuar. Në një lëvizje surprizë, kjo parti nuk po kandidon në qytetet kryesore të vendit dhe po u bën thirrje votuesve të mbështesin opozitën.
“Disa mbështetësve nuk u pëlqeu vendimi për të mos kandiduar. Megjithatë mendoj se në këtë fushatë mundemi t’ja shpjegojmë bazës pozicionin tonë. Siç themi në Turqi, mendjet e mëdha mendojnë njësoj. Është e qartë se gjendemi në një sistem shumë të rëndë fashist. Duket si shansi i fundit”, thotë Gul Demir, kryetare vendore e Partisë HDP.
Votuesit që mbështesin partinë HDP përbëjnë rreth 10% të elektoratit të Stambollit. Nëse HDP-ja do të mundet të bindë mbështetësit e saj të votojnë për ndonjë parti tjetër, kjo do të përcaktojë edhe të ardhmen e qytetit të Stambollit.