Ballina Bota Situata në Venezuelë, SHBA paralajmëron Rusinë

Situata në Venezuelë, SHBA paralajmëron Rusinë

Shtëpia e Bardhë e paralajmëroi Rusinë dhe vendet tjera që mbështesin presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro në Venezuelë, të mos dërgojnë trupa dhe pajisje ushtarake, pasi këtë veprim Shtetet e Bashkuara do ta konsiderojnë si “kërcënim të drejtpërdrejtë” të sigurisë rajonale.

Ditë më parë, dy aeroplanë rusë me një personel ushtarak prej 100 anëtarësh ateruan në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës.

Shtetet e Bashkuar janë duke përgatitur një listë të përgjigjeve të mundshme që përfshijnë edhe sanksione.

“Do të ishte gabim për Rusinë nëse mendon se i ka duart e lira në Venezuelë”, tha Elliot Abrams, përfaqësues i posaçëm për Venezuelën i Shteteve të Bashkuara.

Më herët Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, John Bolton tha se SHBA-të “ do ti konsiderojnë veprimet e tilla si provokim dhe kërcënim të drejtëpërdrejtë të paqes dhe sigurisë në rajon”, raporton REL.

Shtetet e Bashkuara dhe gjitha vendet tjera perëndimore e mbështesin udhëheqësin e opozitës në Venezuelë, Huan Guaido, i cili e ka shpallur veten president të përkohshëm.

Ndërkohë Rusia, Kina, Irani dhe një sërë vendesh tjera janë në anën e presidentit të kontestuar, Nicolas Madura.

Venezuela nën udhëheqjen e Maduros ka pësuar krizë ekonomike dhe tashmë miliona banorë kanë ikur nga ky vend./tch