Opozita shqiptare reagon ashpër ndaj anashkalimit të liderëve politik shqiptarë në takime si ai i një dite më parë, ku diskutohen çështje të rëndësishme shtetërore, siç është fati i Prokurorisë Speciale Publike. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kërkojnë që shqiptarët të mos defaktorizohen.
Porosia është e gabuar, porosia se çështjet me rëndësi jetike shtetërore janë çështje që tangojnë vetëm dy subjektet më të mëdha politike maqedonase- deklaroi Syrija Rashidi, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Përjashtimi i shqiptarëve nga konsultimi dhe vendimmarrja për pështje kaq jetike për të ardhmen e shtetit është vetëm tentim për të prishur kohezionin ndëretnik në Maqedoninë e Veriut dhe për fat të keq po dëshmohet se parulla “një shoqëri për të gjithë” nënkupton defaktorizimin e plotë të faktorit politik shqiptar- tha Arianit Hoxha, Lëvizja Besa.
Nga Lëvizja Besa thonë se akoma nuk e kanë pranuar për ta shqyrtuar propozim/ligjin që pritet të rregullojë funksionimin e PSP-së. Hoxha thotë se Besa deri tani ka mbështetur ligjet me yllin e BE-së që kanë të bëjnë me reformat por nuk do të veprojë njëjtë me zgjidhjet ligjore që dalin nga takimet e liderëve politik. Për Aleancën për Shqiptarët, e pranueshme është që kryeprokurorja speciale të zgjedhet me konsenzus politik dhe të hetojë lëndët që dalin nga bombat.
Ne mund ta themi qartë tani se Lëvizja Besa nga sot e tutje nuk do të mbështesë “bllanko” çdo kërkesë të Qeverisë por me vëmendje do t’i shohim dhe do t’i parashtrojmë- pohoi Arianit Hoxha, Lëvizja Besa.
Për ne është e papranueshme që kryeprokurorinë e Prokurorisë Speciale ta zgjedhë Këshilli i prokurorëve, një instrument i politizuar dhe i kontrolluar tashmë nga subjekteve politike LSDM, VMRO dhe BDI. Kërkojmë që Prokuroria Speciale të zgjidhet si rezultat i një konsenzusi të gjerë politik dhe etnik- theksoi Syrija Rashidi, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
BDI-ja nuk e konsideron si kontestues faktin që lideri i saj nuk ka qenë i ftuar në takimin e një dite më parë. Në prag të zgjedhjeve presidenciale, ata thonë se këto takime bilaterale duhet të jenë rë rregullta.
Dje nuk ka pasur takim liderësh si format më i etabluar i tre partive kryesore në vend por takim mes dy kryetarëve të partive politike dhe është e drejtë e secilës parti politike të bëjë takime bilaterale me kë vlerëson se duhet apo ka nevojë të bisedojë- thanë nga BDI-ja.
Liderët Zaev dhe Mickoski një ditë më parë u takuan për të diskutuar për zgjedhjet presidenciale dhe të ardhmen e Prokurorisë Speciale.