Ballina Aktualitet Lajme Tetovari Liridon Aliti doktoron në Universitetin e Kopenhagës (FOTO)

Tetovari Liridon Aliti doktoron në Universitetin e Kopenhagës (FOTO)

Liridon Aliti-Doktor i Nanoshkencës në Kopenhagë të Danimarkës

Kopenhagë, më 6 mars 2019

Pasi përfundoi fakultetin dhe masterin në Fakultetin e Shkencave Natyrore-Nanoshkencë në Universitetin e Kopenhagës, 27 vjeçari Liridon Aliti, shqiptar i lindur në Kopenhagë të Danimarkës, nga prindër tetovarë, sot mbrojti me sukses të shkëlqyer tezën e doktoratës të titulluar “Qasje mikrofluide për aplikimet biologjike duke përdorur nanostrukturat vertikale 3D”.

Rezultatet e Liridon Alitit janë inkurajuese dhe dëshmi se një numër talentesh shqiptarë kanë arritur të depërtojnë në universitetet më prestigjioze në botë. Puna e Liridonit për të arritur deri në gradën e doktoratës në nanoshkencë duhet të shërbejë si shembull i mirë që duhet të ndjekin shumë të rinj që janë në shtetet e demokracive perëndimore.

Mirëpo, edhe shtetet tona duhet t’i hapin sytë dhe të gjejnë metodat joshëse për tërheqjen e kuadrove të tilla në universitetet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë apo në Maqedoni, sepse përfshirja në gjirin e universiteteve tona të kuadrove të përgatitura në universitete të tilla është garanci për përmirësimin e sistemit tonë të arsimit.
Nuk na mbetet gjë tjetër pos ta urojmë Liridon Alitin për këtë rezultat të madh! Të lumtë Liridon dhe dalsh gjithmonë faqebardhë!

Nga Lulëzim Etemaj

P.S.
Liridon Aliti është djali i Adnan Alitit, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe gazetar i Radio Televizionit “Zëri i Kosovës” në Danimarkë.