Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij politikë nuk e fshehën gëzimin dje pasi raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller nuk zbuloi prova për bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së Presidentit Trump dhe Rusisë. Por gjithashtu dukej qartë irritimi i presidentit ndaj këtij hetimi dhe atyre që e mbështetën procesin.
Gjatë takimit me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Presidenti Trump shprehu irritimin që ndjen lidhur me procesin hetimor që sapo u mbyll:
“Po ju them, e dua shumë këtë vend. E dua aq sa ç’mund të dua diçka të shtrenjtë, familjen, Zotin. Por ajo që bënë, me këto trillime, ishte diçka e tmerrshme. Nuk mund ta lejojmë që kjo t’i ndodhë një presidenti tjetër”.
Megjithë mërinë që shfaqi, pritet që Presidenti Trump të shtrytëzojë ditët në vazhdim edhe për të shprehur ndjenjën e triumfit pasi procesi hetimor, i drejtuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, nuk zbuloi prova të ndonjë bashkëpunimi të fshehtë mes Rusisë dhe fushatës presidenciale të vetë zotit Trump.
Por Prokurori Mueller nuk dha një konkluzion të qartë mbi dyshimet se presidenti ka penguar drejtësinë.
Prokurori i Përgjithshëm William Barr arriti në përfundimin se nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur atë akuzë, por ai gjithashtu përmendi përfundimin e zotit Mueller se procesi nuk e nxjerr të pafajshëm Presidentin Trump lidhur me dyshimet për pengim të drejtësisë.
Aleatët e presidentit, ndër to zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, u hodhën në sulm duke vënë në shenjestër median.
“Nuk mjaftoi që raportuan dhe përhapën gënjeshtra keqdashëse dhe të dëmshme, por ata shpresonin se do t’i jepnin fund mandatit të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.