Mes impenjimit si biznesmen dhe si menaxher futbollistësh, ish-kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala (79 ndeshje me Kombëtaren), udhëton shpesh edhe në Kosovë. Fundjavën që lamë pas ka qëndruar në Prishtinë dhe me këtë rast gazetarët e SuperSportit në Kosovë përfitoi për të zhvilluar me të një intervistë me 43-vjeçarin, që ka qenë mbështetësi kryesor i Milot Rashicës në karrierën europiane.
Biznesi dhe menaxhimi i futbollistëve: Që nga viti 1991 unë jetoj në Gjermani, ku kam luajtur futboll, kjo është diçka që dihet. Merrem me manaxhim lojtarësh, por kam edhe një biznes në Shqipëri, një rrjet marketesh të firmës Rossmann. Kemi filluar edhe në Kosovë. Impenjimi kryesor imi është me menaxhimin e lojtarëve të talentuar nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga Gjermania.
Kosova me talente: Ka lojtarë në Kosovë që ne po i mbikëqyrim, akoma nuk mund të zbuloj emra. Dëshira dhe qëllimi është të nxjerrim sa më shumë lojtarë shqiptarë, që të luajnë në Bundesligë. Shpeshherë ndjek në SuperSport ndeshjen e kampionatit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Marrim informacione për lojtarët që kanë talentin, vullnetin dhe dëshirën për t’u afirmuar.
Shqiptarët, krenarë për Rashicën: Miloti është duke bërë jashtëzakonisht mirë sidomos nga janari. Është në rrugën e duhur dhe për mendimin tim në një përqindje të madhe do të bëhet edhe më i mirë. Ai po kënaq tifozët e Verderit, por edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani, Kosovë apo Shqipëri, që janë krenarë për të.
Interesi i klubeve të mëdha: Futbolli është bërë shumë i shpejtë, Miloti ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha në Europë. Ai duhet të përmirësohet në disa aspekte për të arritur nivelin më të lartë. A mund të ketë lëvizje? Nuk mund ta them 100%, futbolli është i paparashikueshëm, por edhe në Bremen ai ndihet shumë mirë dhe do të ishte mirë që të luante edhe një sezon. Klubet shohin shumë potencial te Miloti dhe shpresojmë që një ditë të arrijë majat.
Kosova, impresionuese: Për kaq pak vite, që nga njohja në UEFA dhe FIFA, Kosova është rritur shumë. Ka elementë shumë të mirë, por natyrisht nuk duhet të presim gjera të mëdha sot për nesër. Deri tani kanë bërë shumë shumë mirë dhe mua më bëhet qejfi që për një kohë të shkurtër ka patur këtë përparim.
Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës: Shqipëria dhe Kosova janë aty-aty në nivel, por Kosova ka shumë talente edhe është në zhvillim e sipër. Të Shqipëria lojtarët janë në moshë disi më të madhe, kanë më shumë eksperiencë, por Kosova ka shumë talente dhe premisa që të bëjë dhe më mirë në të ardhmen. Kjo është, le të themi, diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse unë do të doja që të kishim vetëm një kombëtare.