Ballina Aktualitet Rajoni Dialogu Kosovë-Serbi, Bodo Weber: Mogherini dështoi!

Dialogu Kosovë-Serbi, Bodo Weber: Mogherini dështoi!

Për studiuesin gjerman Bodo Veber, dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një rrugë pa krye dhe shkak për këtë është bërë paaftësia e BE-së për të menaxhuar procesin. Në një analizë të publikuar në “DOJÇE VELE”, Veber shton se është e nevojshme që dialogu të kalojë nën patronazhin e Gjermanisë dhe vetë kancelares Angela Merkel, e cila duhet të tregohet kategorike si me Beogradin edhe me Prishtinën.

Negociatat e fundit mes Kosovës dhe Serbisë shënuan një kthesë të fortë politike në kahun e gabuar. I këtij mendimi është Bodo Veber, studiues i asociuar pranë Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit. Sipas tij, hyrja në këtë kurs të mbrapshtë është pasojë e motivimeve të ndryshme që kanë protagonistët e këtij dialogu. Presidenti Aleksandar Vuçiç është i prirur të përdorë dobësinë aktuale politike të BE-së për të arritur sa më shumë të jetë e mundur nga dialogu, për të cilin sipas Veber është rënë në ujdi. Por ndërkohë, Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet e brendshme të Serbisë, që janë pasojë e konsolidimit të pushtetit të tij autoritar me tolerimin e Perëndimit.

Nga ana tjetër, vijon Veber në një analizë të publikuar në “Deutsche Ëelle”, presidenti Hashim Thaçi i privatizoi negociatat pavarësisht protestave të partive të tjera në Kosovë vetëm e vetëm për t’i shpëtuar një inkriminimi nga Gjykata Speciale. Por për këtë devijim të negociatave, sipas Veber, përgjegjëse është edhe Federica Mogherini, paaftësia e së cilës si negociatore e futi procesin në një krizë ekzistenciale, të cilën dëshpërimisht po përpiqet ta kthejë në sukses.

Një tjetër faktor i degradimit të procesit, sipas studiuesit gjerman, është edhe qëndrimi i Uashingtonit, që çdo marrëveshje e arritur është një marrëveshje e mirë, duke nënkuptuar këtu edhe atë për shkëmbimin e kufijve. Tani, për të zgjidhur ngërçin dhe për të parandaluar një marrëveshje me shkëmbim territoresh, që sipas Veber do të ishte e dëmshme për Ballkanin, duhet që kancelarja gjermane Angela Merkel të rimarrë pozicionin e saj si lidere europiane.

“Në të njëjtën kohë, ajo duhet t’i lërë të kuptohet si Beogradit edhe Prishtinës që në rast të një nënshkrimi të marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve do të shuhej për një kohë të gjatë perspektiva e anëtarësimit në BE”, thotë Veber. Ai shton se përveç kësaj Berlini duhet të grumbullojë pas vetes vende të tjera anëtare të BE-së për një iniciativë të rifillimit të dialogut në kuadrin fillestar. “Mbetet të pritet nëse samiti i 29 Prillit, i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jetë një hap i parë në këtë drejtim”, shton Veber në analizën e tij./abcnews.al