Elez Biberaj, drejtor për Euroazinë në ‘Zërin e Amerikës’, në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës ‘Dielli’, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në fjalën e tij, Biberaj e cilëson Ramën një qeverisës së pasfiduar, sundimi i të cilit dëmtohet nga qeverisja e dobët.
“Pas fitores me një shumicë dërmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë.
Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqes të tjërë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën. Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.
Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si “kazan.” Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.
Shumë gazetarë, të pambrojtur ndaj trysnisë politike dhe ekonomike, praktikojnë auto-censurën dhe shmangin mbulimin e temave tabu. Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme.
Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.”- shprehet ai.
Biberaj ndalet edhe raporti i DASH, ku vendi ynë renditet si një një nga vendet tranzi dhe kyç, për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar.
“Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, botuar në mars, e identifikon Shqipërinë si një vend tranzit kyç për shpërndarjen e narkotikëve dhe “një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.” Raporti e rendit Shqipërinë si një vend ku kryhet pastrim i madh parash duke shtuar se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe ushqen një mjedis në të cilin trafikantët e drogës përgjithësisht janë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar.” Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga “korrupsioni i përhapur.”
Në këtë kontekst, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike vendosi në muajin shkurt (2019) të largohej nga parlamenti. Ky hap i paprecedentë e futi Shqipërinë në një gjendje tensionesh të shtuara, që rrezikon shpërthimin e dhunës, shkatërrimin e qeverisjes dhe shtyrjen e integrimit në BE. Rama nuk i ka pranuar kërkesat e udhëheqësit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen dhe për të krijuar një qeveri teknike, duke i cilësuar ato si thjesht përpjekje për të marrë pushtetin në tavolinë. Megjithë urgjencën e situatës, Kryeministri nuk ka bërë përpjekje serioze për të hyrë në dialog me opozitën.”-thekson Biberaj./balkanweb