Gazetari dhe analisti Mustafa Nano është etiketuar shpesh si “gazetari” i Edi Ramës, por në një intervistë për Roland Qafokun ai ka thënë se kjo gjë e acaron, pasi kurrë nuk i ka shërbyer pushtetit.
Teksa ka rrëfyer raportin e tij me kryeministrin dhe bisedën e fundit me të, Nano ka theksuar se misioni i Edi Ramës si politikan ka mbaruar dhe kurrë më s’do të votojë për të.
Ju e keni e mbështetur këtë qeveri?
Unë e kam votuar këtë qeveri, por kam qenë edhe kritik ndaj saj. Por ngaqë kam qenë shumë kritik ndaj opozitës, më kanë etiketuar si analist apo gazetar pro qeveritar. Më dhemb deri në palcë etiketimi që më bëjnë: “Muç Nano, gazetari i Edi Ramës”.
Pse ju dhemb, shihni dhe ju përgjegjësi për këtë etiketim?
Më dhemb, sepse kjo damkë nënkupton shërbimin. Dhe shërbimi nuk është zanati im. Lëre pastaj t’i shërbesh Edi Ramës.
Nëse e keni ngjyer në acid pendën tuaj për Berishën dhe për Fatos Nanon, për Edi Ramën nuk e keni ngjyer, por Rama ka 20 vjet në pushtet…
Për Berishën e kam ngjyer në acid, sepse unë nuk e kam parë as atëherë dhe as sot nuk e shoh njësoj me Ramën, në do ta dish. Për mua, çdo arsyetim e analizë politike në Shqipëri duhet të fillojë pasi të kemi rënë dakord se Berisha është një muhabet më vete. I pakrahasueshëm me asnjë tjetër për dëmet që i ka bërë vendit. Kush nuk kupton këtë, është me probleme, mendoj unë.
Cili është qëndrimi juaj ndaj Edi Ramës sot?
Edi Rama është një politikan që e ka mbaruar misionin e vet. Duhet të gjejë një mënyrë për t’u larguar. Unë për vete nuk do të votoj më kurrë për të. Ai është i pavotueshëm.
Sa kohë keni pa u takuar me Edi Ramën?
Biseda ime e fundit me të në “ËhatsApp” ka qenë e vështirë dhe unë e kuptova në këtë rast se me këtë njeri nuk duhet të takohem më kurrë.
Si ka mundësi që Rama, një njeri kryeqytetas, krijon kaq zhgënjime, po aq sa Berisha apo dhe Fatos Nano?
Rama nuk është se është deurbanizuar. Ai vijon të jetë urban. Nuk është ky problemi i tij. Madje, ai në këtë pikë vijon të bëjë diferencën me atë tjetrin, Berishën. Por është një diferencë që nuk i duhet më kujt.