Një nga gazetat më të mëdha në Europë, tabloidi gjerman “Bild” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë grabitjes me armë në Rinas. Në një shkrim të gjatë të publikuar të mërkurën, ajo hapet me titullin “Duart lart! Avioni po grabitet!”.
“Një veprim i pabesueshëm nga gangsterët në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë: Të martën, një furgon u fut në pistën e aeroportit dhe ndaloi përpara një avioni AirBus A320 të linjës ajrore austriake Austrian Airlines. Gangsterët kishin si objektiv një ngarkesë parash, që duhet të fluturonte me avion drejt Vjenës.
Disa udhëtarë e panë bastisjen nga sediljet e tyre. Autorët arritën fillimisht të largohen, por shumë shpejt një prej tyre u vra. Thuhet se grabitësi i qëlluar është kreu i një grupi famëkeq kriminelësh.
Sipas mediave shqiptare dhe greke, grabitësi i vrarë është Admir Murataj, 40 vjeç. Gangsteri nuk është i panjohur. Në vitin 2013, ai u arratis me disa bashkëpunëtorë nga burgu i Trikalas në Greqi. Atje banda po vuante dënimin me burg prej 137 vitesh.
Të afërmit, duke përfshirë edhe gruan e tij, e identifikuan kufomën në morg të mërkurën në mëngjes. Murataj akuzohet për krime të shumta, përfshirë vrasje dhe plaçkitje të armatosura. Megjithatë është e paqartë nëse Murataj është mbiemri i tij i vërtetë – pasi burri me origjinë nga Tropoja në veri të vendit, ka përdorur jo më pak se 13 identitete të rreme.
Goditja e tij e fundit në aeroportin ‘Nënë Tereza’ të Tiranës u bë edhe vula e fatit të tij.
Murataj dhe bashkëpunëtorët e tij mesa duket e kishin përgatitur me mjeshtëri grabitjen spektakolare. Në mjetin me të cilin udhëtonin për në aeroport ishte shkruar: Hetimi tatimor. Disa nga gangsterët mbanin uniforma ushtarake dhe jelekë antiplumb. Disa udhëtarë menduan se mos ishte ndonjë stërvitje policore. Por pasagjerët nuk kanë qenë në rrezik për asnjë moment, thuhet në një raportim medatik.
Autorët thuhet se kanë marrë 10 milionë euro në cash. Por teksa largoheshin me shpejtësi, nga pas iu vu një grup policor. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, Murataj humbi jetën. Bashkëpunëtorët e tij e hodhën trupin jashtë makinës dhe u arratisën. Raportimet se ai u qëllua nga bashkëpunëtorët e tij, për shkak se nuk mbante maskë, nuk janë konfirmuar.
Më vonë policët zbuluan një makinë të djegur pranë skenës së krimit. Autorët mendohet se i kanë vënë flakën për të zhdukur gjurmët. Natën duke u gdhirë e mërkura, policia arrestoi katër persona. Nuk dihet ende nëse ata i përkasin bandës.
Që kur u arratis nga burgu në vitin 2013, Murataj shfaqej vazhdimisht si grabitës bankash. Vetëm në vitin 2015 ai kryen dy sulme: në shkurt ai plaçkit një bankë, në dhjetor sulmon një transportues parash. Murataj u akuzua më pas edhe për një bastisje në vitin 2017. Në total gjatë këtyre sulmeve janë marrë 7 milionë euro.
Krimi i organizuar është një problem i madh në Shqipëri. Bandat organizohen shpesh në struktura klanore. Së fundmi, tre vjet më parë një automjet me para të gatshme u plaçkit në mënyrë të ngjashme në aeroportin e Tiranës. Të tjera para janë vjedhur gjatë rrugës drejt aeroportit” – shkruan “Bild”.