Në qiell thonë se ka qenë një qytet, kur ka rënë në tokë, Malet e Sharrit i kanë ndarë e i kanë bërë dy qytete: Prizrenin dhe Tetovën.
Të dashur qytetarë,
Mirë se ju gjej këtu në Tetovën e kryengritjes së Dervish Carës, në Tetovën e korifeut Mehmet Pashë Deralla, në Tetovën e rezistencës së Mehmet Gegës e të luftës së Mujdin Aliut, në Tetovën e mendimit të Arbën Xhaferit, në Tetovën e këngës së Elitës 5, në Tetovën e lojës së klubit ’Shkëndija’, në Tetovën e mjeshtrit të kuzhinës Rene Rexhepi, e, në Tetovën e ëmbëlsirave më të mira në botë.
I nderuari Prof. Blerim Reka, President i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, E nderuara znj. Ymrane Reka, së shpejti Zonja e Parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Të nderuar kryetarë të subjekteve politike shqiptare, të Aleancës dhe të Besës, Ziadin Sela e Bilall Kasëmi, E nderuara shqiponja e këngës kombëtare, Shkurte Fejza,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, dhe, veprimtarë të çështjes kombëtare si Gani Krasniqi, Nazlie Bala, Enver Dugolli,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Jemi mbledhur këtu, në tubimin përmbyllës, për të hapur një kapitull të ri, për demokracinë dhe shqiptarinë në Maqedoni. Drejtësia e barazia, zhvillimi për të gjithë, do të marrin hov për juve sepse ju mund të votoni për Prof. Blerim Rekën.
Të nderuar të pranishëm,
Në Perandorinë Osmane ishim të ndarë nëpër vilajete. Në federatën jugosllave ishim të ndarë nëpër republika. Mirëpo, shqiptarët përherë ndjeheshin si një komb. Kjo ndjenjë duhet bërë vetëdije dhe votim, vendosje dhe përcaktim. Të dielen e pushimit, bëjeni festë me profesorin, bëjeni fitore me Blerimin.
Kurrë nuk e keni pasur më kollaj. I humbni 15 minuta kohë deri në vendvotim, mirëpo i fitoni 4 vjet dinjitet e vullnet. Tre emra janë në listë, filloni me të parin, ndaluni te i pari, përfundoni me të parin, votojeni Blerim Rekën.
Anëtarët e atyre partive tjera shqiptare nuk kanë kandidat të tyre. Prof. Blerim Reka nuk ka parti të tij. Partiakët e tjerë janë pa kandidat, kurse kandidati Blerim Reka është pa parti. Prandaj, ai është zgjedhja e zgjidhja edhe për anëtarët e BDI-së e të PDSh-së, këtu në Tetovë dhe kudo gjetiu në Maqedoninë e Veriut.
Ama, jo për inat të dy kandidatëve tjerë maqedonas, por për hir të vetes tuaj e tonë. Tash jemi në kohën kur edhe qytetarët maqedonas duhet të dëshmojnë se ka kaluar koha e regjimit të Gruevskit dhe se edhe maqedonasit duhet ta votojnë shqiptarin. Nuk ka më nevojë që shqiptarët të dëshmohen duke votuar një kandidat maqedonas. Maqedonasit duhet të dëshmohen duke e votuar një kandidat shqiptar, duke e votuar Blerim Rekën.
Kryeministri Zoran Zaev është dëshmuar edhe si njeri që mund të bëjë marrëveshje historike. Pas dialogut dhe marrëveshjes me Greqinë për emrin e shtetit, Zaev mund ta bëjë edhe dialogun e marrëveshjen me shqiptarët për karakterin e shtetit. Le ta ndihmojmë Zoran Zaevin duke e votuar Blerim Rekën.
Dorën në zemër, me Blerim Rekën President e humbim një profesor të shkëlqyeshëm, mirëpo ia vlen, mirëpo ia vlen, sepse e fitoni një aleat të fuqishëm, kundër diskriminimit, kundër të gjitha llojeve të diskriminimit, sipas gjinisë a etnisë, gjuhës a fesë, pamjes së jashtme apo vendbanimit. Pra, me Blerim Rekën fitoni barazi, pa shtypje; të drejta, jo favore; zhvillim, pa shfrytëzim.
Miku i madh i shqiptarëve dhe ish kongresisti amerikan, Joseph Dioguardi, për komunitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, dëgjoni se çfarë ka thënë: “Nuk ka asnjë komunitet të këtyre përmasave në botë që të ketë gjashtë parti politike, katër universitete në gjuhën shqipe, pesë kanale televizive, 15 media online, 30.000 punonjës në administratën publike, 3.000 në forcat policore, 1.000 në ushtri dhe të jetë kaq i dobët politikisht.”
Pra, ne këtu nuk jemi të dobët sepse jemi pak, por jemi të dobët sepse s’jemi bashkë. E, sonte ne po bëhemi bashkë për Blerim Rekën President. Blerimi na bëri bashkë, Blerimi e bën fitoren tonë të përbashkët.
Kudo që kam shkuar në Evropën Perëndimore, çdo i dyti shqiptar ishte nga Maqedonia. Paqen sociale këtu e mbajnë remitancat e mërgatës sonë. Por, a e dini çfarë? Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë asnjë bankë të tyre! Ata na sjellin paranë që shkon shpejt në konsum, dhe ikën nga shqiptarët. Dhe, jo vetëm kaq. Ta zëmë vitin 2016, s’besoj të jetë përmirësuar deri sot, nga afro 1.000 botime të Ministrisë së Kulturës në Maqedoni, as 3% nuk janë shqip. Prandaj, duhet drejtësi për shqiptarët, kompensim për atë që shqiptarët e kanë vuajtur dhe e kanë humbur gjatë regjimit të Gruevsit.
Në shekullin XX, shqiptarët si popull në Ballkan, si qytetarë në shtete të ndryshme, si refugjatë nëpër botë, përgjithësisht nuk kanë vendosur për veten e tyre. Shekulli XXI, për dallim, duhet të jetë e do të jetë shekulli ynë, e për këtë, duhet të punojmë dhe nuk duhet të gabojmë. Andaj, Blerim Reka, Blerim Reka është kandidati ynë. Gishtin në kokë, dorën në zemër, votojeni këtë emër e mbiemër: Blerim Reka!
Shqiptarët të cilët janë të kënaqur me gjendjen në Maqedoni, mund të mos votojnë, ose mund të votojnë konceptualisht ndonëse unë këtë s’e kam kuptuar çka do të thotë, ama shqiptarët që janë të pakënaqur, shqiptarët që besojnë e mendojnë se ju takon më shumë e duan më mirë, ata shqiptarë e kanë shansin, e kanë mundësinë, që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të dielen që vjen.
Tetova, qyteti i betejave për ambient të pastër; Tetova, qyteti rrëzë bjeshkëve të Sharrit; do të dijë të vendosë, sepse do të vendos për të dijshmin, Prof. Blerim Rekën President. Andaj, e diel është dita, 21 prilli është data, 1 është numri, Blerim Reka quhet fitorja!