Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka anuluar tenderin për furnizim me UHV llamba për zgjedhjet presidenciale, për arsye se kompania e cila ka fituar tenderin, ka dorëzuar në KSHZ llamba me dritë të thjeshtë ngjyrë vjollce, por pa UHV reflektim që tregon se një votues ka votuar njëherë. E gjendur në një situatë të tillë, ku brenda një jave duhet të mbahen Zgjedhjet Presidenciale, KSHZ shpëtim ka gjetur te KSHZ e Republikës së Kosovës, nga e cila ka huazuar 1500 llamba UHV, shkruan gazeta KOHA.
“KSHZ ka në dispozicion numër të konsiderueshëm të llambave, të cilat do të përdoren ditën e zgjedhjeve. Kemi bashkëpunim edhe me KSHZ-në e Republikës së Kosovës, nga të cilët kemi huazuar 1500 llamba ultra violete, dhe gjithsej kemi rreth 8 mijë llamba, të cilat janë në gjendje të mirë, gjendje të sigurt dhe ato do të përdoren ditën e zgjedhjeve. Informacionet tuaja që i keni lidhur me UHV llambat i keni pjesërisht të sakta. Sa i për ketë gabimit që është bërë nga kompania, e cila e mori faktikisht Furnizimin Publik, mirëpo ato llamba nuk i pranoj KSHZ-ja. Do të përdoren llambat, të cilat i disponojmë, do të përdoren edhe llambat të cilat janë të huazuara nga KSHZ-ja e Kosovës. Këtë do ta konfirmoni edhe vet ju në terren. Nuk do të ketë asnjë lloj problemi, janë çështje teknike me kompaninë e cila është dashur të sigurojë llambat të ndryshme nga këto që janë aktualisht, mirëpo ato llamba nuk do të përdoren sepse KSHZ-ja as që i ka pranuar nga kompania”, deklaroi për gazetën KOHA, Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Të pyetur nga gazeta KOHA se a është anuluar tenderi për furnizim me UHV llamba, në KSHZ u përgjigjen se është anuluar vetëm pjesa e llambave. Nga këtu mund të konstatojmë se kompania në fjalë emrin e së cilës, nuk deshën ta bëjnë publike nga Komisioni i Zgjedhjeve, ka marrë tenderë edhe për furnizime tjera përveç llambave UHV. (koha.mk)