Shqipëria do të ketë një linjë direkte fluturimi me Riadin.
Për këtë qëllim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi të enjten një memorandum bashkëpunimi me kompaninë saudite të fluturimeve FLYNAS.
Linja ajrore mendohet t’i shërbejë sidomos turizmit nga Arabia Saudite dhe vendet e Lindjes së Mesme, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike me rajonin në fjalë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministria Belinda Balluku, tha se bashkëpunimi me FLYNAS shënon një hap të rëndësishëm në tërheqjen e kompanive të reja ajrore në Shqipëri.
Ndërtimi dhe operimi i aeroporteve të rinj pritet të ndihmojë në rritjen e tregut.
Ministrja Balluku tha se brenda dy viteve do të jetë gati Aeroporti i Kukësit, ndërsa së shpejti do të hapet një konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
FLYNAS është një nga kompanitë ajrore low cost më të rëndësishme në Lindjen e Mesme.
Ajo është themeluar në vitin 2007 dhe, sipas informacionit në faqen zyrtare, kryen fluturime në 35 destinacione.
Së fundmi, FLYNAS ka porositur 120 avionë të rinj Airbus, me një marrëveshje në vlerën e 8.6 miliardë dollarëve.