Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, paralajmëron se do t’i bëjë thirrje Komunitetit Mysliman për të bojkotuar raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Situata vjen pas përplasjes me Gjykatën e Shkupit, e cila ka vendosur që këtë bashkësi ta drejtojë një tjetër person.
Tensionet disavjeçare brenda Bashkësisë Fetare Islame apo keqpërdorimi i kësaj bashkësie fetare në fushatën zgjedhore për të ulur censusin në balotazhin e 5 Majit janë çështje që imponohen pas përplasjeve rreth kreut të ri të Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut mbrëmë pas një mbledhje të jashtëzakonshme të organit më të lartë të kësaj bashkësie bëri të ditur se qeveria aktuale punon kundër BFI-së, duke u kërcënuar se do të thërrasë pjesëtarët e komunitetit mysliman në Maqedoni të bojkotojnë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI të Maqedonisë: Të gjitha subjektet politike të proviencës islame nëse nuk e ngrejnë zërin tash, vota kurrë nuk kanë për të pasur prej popullit mysliman.
Përplasjet brenda BFI-së filluan kur një grup duke u thirrur në një vendim të Gjykatës Themelore në Shkup, pretendon se kryetar i këtij institucioni fetar është Skënder Buzaku.
Skënder Buzaku: Unë jam Skënder Buzaku, prijësi i Bashkësisë Islame. Në bazë të vendimit të gjyqit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Ministria e Brendshme, Komisioni për bashkësitë fetare dhe politikanët u distancuan nga këto ngjarje dhe përpjekjet për ndryshime në kreun e BFI-së. Në të kaluarën, Bashkësia Islame në Maqedoni kërkonte ndihmë nga autoritetet për tu ballafaquar me islamikët radikal, më pas duke akuzuar qeverinë se nuk ia kthen pronën e denacionalizuar, kurse pati akuza edhe se pushteti favorizon Kishën Ortodokse. /abcnews.al