Ballina Kronika Vrasja e 26-vjeçares shtatzënë, gjykata në Itali shqipton burgim të përjetshëm për...

Vrasja e 26-vjeçares shtatzënë, gjykata në Itali shqipton burgim të përjetshëm për shqiptarin nga Kosova

Pas dy orësh shqyrtimi gjyqësor, Gjykata e Trevisos në Itali ka shpallur dënimin maksimal për Bujar Fandajn, 40-vjeçarin me origjinë nga Kosova, i cili rrëfeu se kishte vrarë Vanesa Ballan, 26-vjeçare, nëna e një fëmije dhe shtatzënë në kohën e krimit.

Ngjarja tragjike ndodhi më 19 dhjetor 2023, në Riese Pio X, një komunë në provincën e Trevisos.

Fandaj kishte hyrë në banesën e viktimës duke hapur me forcë një dritare dhe e kishte goditur atë tetë herë me thikë. Vanesa u gjet e pajetë nga partneri i saj, i cili ishte edhe babai i fëmijës që ajo priste.

Salla e gjyqit u mbush me emocione të forta gjatë shpalljes së aktgjykimit. Prindërit e Vanesës shpërthyen në lot kur u lexua vendimi.

“Drejtësia është bërë, por ju jeni të mallkuar për jetë”, thanë ata në një shpërthim dhimbjeje dhe zemërimi.

Tetova News në YouTube:

Prokuroria kishte kërkuar dënimin më të rëndë të mundshëm për Fandajn, i cili në seancën e fundit ishte i pranishëm dhe i përfaqësuar nga avokatet Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli. Ai u kthye menjëherë në burg pas shpalljes së vendimit.

Hetimet e autoriteteve italiane treguan se Fandaj dhe Ballan kishin pasur një lidhje romantike e cila ishte ndërprerë në verën e vitit 2023, me vendim të viktimës.

Sipas prokurorisë, ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe besohet se ka kryer krimin për hakmarrje.

Pas aktit të vrasjes, Fandaj kishte tentuar të arratisej nga Italia, por u kap nga karabinierët disa orë më vonë në banesën e tij.

Fillimisht ai pranoi krimin, megjithëse më vonë u përpoq të mohonte paramendimin.

Rasti tronditi opinionin publik në Itali dhe përtej, duke nxitur edhe debate për dhunën ndaj grave dhe mungesën e mbrojtjes ndaj viktimave të lidhjeve të dhunshme të mëparshme.