Ballina Aktualitet Lajme Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, profile të kandidatëve

Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, profile të kandidatëve

Të dielën qytetarët e Maqedonisë së Veriut votojnë për presidentin e ri. Në këto zgjedhjet presidenciale garojnë tre kandidatë, nga të cilët asnjëri prej tyre nuk është politikan i karrierës.

Kush garon për President ?
*Stevo Pendarovski do të jetë kandidati i përbashkët presidencial i partive të koalicionit qeveritar. Ai është lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup, është docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolexh-Shkup. Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti.

*Gordana Siljanovska Davkova është kandidatja për presidente e Maqedonisë së Veriut e mbështetur nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Ajo ka lindur në Ohër në maj të vitit 1955, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Mes viteve 2012 dhe 2016 ajo ka qenë anëtare e Komisionit të Venecias për çështje të pakicave. Sot ajo mban pozitën e profesoreshës në Fakultetin Juridik në Shkup. Nëse ajo arrin të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të bëhet presidentja e parë femër në shtet.

*Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ai kandidon si kandidat i pavarur, por që mbështetet nga partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Ai mban postin e prorektorit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë ambasador dhe shef misioni për Maqedoninë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Temat e publikimeve shkencore lidhen me politikën, gjeopolitikën, drejtësia në BE, studimet evropiane dhe rolin e UNMIK-ut në Kosovë.

Fushatë e qetë, pa incidente
Fushata për zgjedhjet presidenciale është karakterizuar si më e qetë dhe ndryshe nga të mëparshmet. Pendarovski gjatë fushatës ka mbështetur fuqishëm Marrëveshjen e Prespës e nënshkruar me Greqinë për të ndryshuar emrin e vendit, të cilën Siljanovska-Davkova e kritikon edhe pse opozita ka thënë se nuk do ta anulojë atë. Reka ka vlerësuar se shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit të tepruar ndaj maqedonasve dhe se edhe postet kyç në vend mund të udhëhiqen nga shqiptarët./Opinion.al