Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se raporti i Këshilltarit të Posaçëm në SHBA, Robert Mueller, konfirmoi pohimet ruse se Moska nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016 dhe se nuk ka bashkëpunuar me fushatën e presidentit Donald Trump.
Presidenti rus i bëri këto komente pasi Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr u paraqit para një paneli kongresistësh për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me hetimin tashmë të përfunduar të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller.
“Ne kemi thënë që në fillim se ky komision famëkeq i z. Mueller nuk do të gjente asgjë”, tha presidenti Putin në Shën Petersburg më 9 prill.
Robert Mueller u ngarkua në fillim të vitit 2017 për të udhëhequr një hetim në lidhje me prentendimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe bashkëveprimet e mundshme midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Mueller zyrtarisht e mbylli hetimin e tij kur ai e paraqiti raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë më 22 mars.
Raporti nuk u bë publik në tërësi mirëpo prokurori i Përgjithshëm, William Barr në një përmbledhje të raportit tha se Mueller nuk gjeti se fushata presidenciale e Trumpit koordinohej ose bënte komplot me Rusinë për të fituar zgjedhjet.
Demokratët kanë thënë se përmbledhja e katër faqeve nuk është e mjaftueshme. Prokurori Barr, më 9 prill, tha se do të publikojë raportin “brenda një jave”.
Presidenti Trump ka mohuar se ekipi i tij ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë apo me individë të tjerë që kanë lidhje me Moskën në procesin zgjedhor.