“Njëzet vjet pas përfundimit të ndërhyrjes së NATO-s në Ballkan, marrëdhënia midis Serbisë dhe Kosovës, vazhdon të mbetet e tensionuar. Shifra të larta flasin për zhvendosjen e kufijve të Kosovës, duke shfaqur një precedent me potencial të rrezikshëm”, kësisoj i ka vënë theksin analizës për Kosovën, në shkrimin e saj, revista gjermane “ der Spiegel”.
Me gjithë vitet që kur ka përfunduar lufta e fundit në Ballkanin perëndimor, kjo gazetë kujton se
Kosova vazhdon të mbetet problem i Ballkanit. “Qytetarët e saj, janë të vetmet që ende kërkojnë vizë për të udhëtuar në Zonën Shengen”, bën më dije revista.
Por problemi madhor në këtë vend, sipas “Spiegel”, kryesohet nga diskutimet rreth kufijve të vendit. Politikanët kryesorë shqiptarë në Kosovë, mbrojnë fort argumentin që veriu i mbizotëruar nga serbët në republikë duhet të lihet në Beograd, si pjesë e një shkëmbimi të territorit.
Kryetarët e Serbisë dhe të Kosovës diskutuan këtë çështje nën mbikëqyrjen e Federica Mogherini, shefi i diplomacisë së BE, por Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj kundërshton çdo propozim të tillë, duke pretenduar se ato janë të pakuptimta dhe të rrezikshme. “Tragjeditë në Ballkan gjithmonë kishin të bënin me kufijtë”, thotë ai. “Kushdo që i ngre përsëri këto pyetje tani kërkon tragjedi të reja”, sjell në kujtesë, “Spiegel” fjalën e Haradinajt.
Kryeministri Haradinaj, dikur figurë qëndrore e ish luftës së UÇK-së, e poashtu dikur në luftë me Serbinë, sipas revistës, sot pretendon se me detyrimet doganore, përkatësisht sanksionet prej 100 përqind të importeve nga Serbia, të përpiqet të detyrojë qeverinë serbe që përmes kësaj mënyre të njoh Kosovën si shtet. Revista “Spiegel” sqaron se Washingtoni ka qenë “ndër sundimtarët” e fshehtë të këtij vendi, por që sot, has në rezistencë nga Haradinaj. A shihet ky si një hap i parë nga hija e superfuqisë amerikane? shtron pyetje revista. Haradinaj thotë se “Kosova duhet të mësojë të mbrojë vetë veten. Nuk kishim zgjidhje, Serbia po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë agresive kohët e fundit, hapja dhe bujaria jonë janë keqkuptuar si dobësi”.
Dhe përderisa në anën tjetër kemi Mogherinin, John Bolton, këshilltarin e sigurimit kombëtar të presidentit amerikan Trump dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç që po mendojnë të japin veriun e Kosovës në Serbi dhe të ofrojnë Luginën e Preshevës kryesisht shqiptare etnike në Kosovë, kemi poashtu Presidentin kosovar Hashim Thaçi që është gjithashtu në favor të kësaj, por është kryesisht vetëm në qëndrimin e tij, meqë nuk ka përkrahjen e Haradinaj.
Lidhur me këtë, një zyrtar i lartë i SHBA, i kontakuar nga Spiegel në Prishtinë ,është shprehur se: “Ne nuk kemi më asnjë vijë të kuqe, nëse të dy vendet sugjerojnë një marrëveshje që përfshin një ndryshim në kufij dhe që pranohet nga qytetarët, atëherë kjo është mirë me ne”.
Një problematikë tjetër, që numëron revista gjermane në analizën e saj të fundit për Kosovën, është fakti se tash së fundi, në horizont është shfaqur krijimi i një gjykate speciale, e cila do të hetonte përsëri ish ushtarët e UÇK-së. Nën shqyrtim është shkalla në të cilën ushtria guerrile kosovare, UÇK, mund të ketë inkriminuar veten. Shumë nga ish shokët e luftës së Haradinaj tashmë janë ftuar dhe është lënë qëllimisht e paqartë nëse duhet të paraqiten si të akuzuar ose si dëshmitarë, thotë revista.
Por vet kryeministri Haradinaj, shprehet skeptik për qasjen e pabarabartë të Perëndimit. Ai ankohet se qëllimet e evropianëve janë vështirë të përcaktohen, ndryshe nga ato të SHBA: “Kur njerëzit tanë së fundi fluturuan në Bruksel për diskutime me Mogherinin, ata kishin një propozim prej 30 faqesh në bagazhin e tyre”. Dhe çfarë morën nga negociatorët e BE-së? “Asgjë,” thotë Haradinaj, “përveç kafesë dhe ujit, edhe pse pa pagesë.”, thotë, Haradinaj, citon revista Spiegel.
Çështjet e lëna pezull ende pa zgjidhje, që numëron si më lartë në analizën e saj revista Spiegel, duket se do të vonohen dhe për shumë kohë të tjera.