Në vetëm pak muaj, 3 fëmijë kanë humbur jetën në Itali si pasojë e rrethprerjes në shtëpi, apo të kryer jo nga mjekë profesionistë.
Një tjetër rast u publikua në media, viktimë e së cilit mbeti një bebe pak javëshe. Shkak u bë rrethprerja e kryer në shtëpi, nga një “njeri i shenjtë”.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Quezzi, pranë Genovas.
Për ngjarjen autoritetet policore arrestuan nënën dhe gjyshen e djalit, sëbashku me personin që kreu procedurën.
Nuk ka shumë detaje rreth ngjarjes, megjithatë besohet se prindërit e të miturit janë nigerianë.
Ngjarja e rëndë vjen pasi një fëmijë 5 muajsh vdiq në mars në Bolonja, në Itali, pasi prindërit e tij dyshohet se e bënë synet në shtëpi.
Në Dhjetor, një djalë 2 vjeç gjeti vdekjen për shkak të gjakderdhjes, si pasojë e rrethprerjes në një qendër emigrantësh në Romë.
Jeta e vëllait të tij binjak u vu gjithashtu në rrezik, por ai mbijetoi pasi u mbajt në kujdes intensiv.
Rreth 35 përqind e rrethprerjeve në Itali besohet se kryhen në shtëpi.
Shkak është kryesisht çmimi i lartë i kësaj procedure. Në të tre rastet e mësipërme, prindërit e fëmijëve ishin refugjatë.